Zgjedhja e Veshtire…

Eseja e mëposhtme është eseja fituese e çmimit të parë të konkursit të organizuar nga Botimet Jeta e Re në Nëntor-Dhjetor 2011 për librin “Zot, Gënjeshtar, apo i Çmendur”.

Zgjedhja e Veshtire…

Mua Zoti më ka folur! Ka qenë data 31 korrik 2006. Prisja të më lindte djali. Të gjitha masat që mund të marrë njeriu për të shkuar mbarë gjithçka ne i kishim marrë dhe si çift ishim përgatitur për të patur lindje natyrale….

…Në vitin 1993, kur unë isha gazetar në TVSH , më vijnë një grup burrash të cilëve u kishte prishur shteti shtëpitë për të ndërtuar pallat. Ndërroi sistemi, ndërmarrja u shkri dhe ata mbetën në rrugë pa shpresë se mund t’i ndihmonte dikush. Unë e ndoqa si gazetar disa herë këtë çështje deri sa ata nuk u dukën më. Pikërisht, atë mëngjes 31 korriku, teksa ngjisja shkallët e jashtme të maternitetit, ku prisja me emocione të paprovuara kurrë, ardhjen e birit tim në jetë, njeriu i parë që më shfaqet në derë ishte njëri prej këtyre burrave. I veshur me përparësen e bardhë të spitalit ai ndaloi dhe me shumë mirënjohje më pyeti: “Zoti Armir, si mund t’ju ndimoj?” Një ngazëllim i patregueshëm më kaploi atë çast. Pikërisht në ditën më të lumtur por edhe më të sikletshme të jetës sime, një njeri , të cilit unë i isha gjendur pa asnjë tjetër prapamendim, veç ndihmës njerëzore, sot më shfaqej në derë të spitalit duke më treguar se e mira nuk humbet në këtë botë por të shpërblehet. Vërtet nuk kisha nevojë për atë zotëri, pasi të tjerë njerëz merreshin me ardhjen në jetë të fëmijës tim, por nëse nuk do t’i kisha patur ata, ky person që mu shfaq tek dera mund të qe shpresa dhe ngushëllimi i vetëm i atij momenti. …

…Pak më vonë mësuam se fëmija nuk duhej të lindte në rrugë natyrale por me operacion. Shkenca kishte dështuar në parashikim. Megjithë paisjet dhe kujdesin e pafund njerëzor që treguan ata që merreshin me shtatëzaninë e sime shoqeje, nuk arritën ta parashikonin se foshnja duhej të lindte me ndërhyrje kirurgjikale. Duke qëndruar pranë sime shoqeje, me një emocion pozitiv tashmë të kthyer në ankth, në korridor kalon një grua , edhe ajo me përparëse të bardhë. Më sheh, ndalon, kthehet dhe më pyet: “Armir Shkurti?” “PO!” – i përgjigjem. “Më lejo të të përqafoj – më tha – pasi ti je njeriu që ke marrë për herë të parë vajzën time, pa asnjë lloj interesi”. Ajo ishte kryeinfermjerja dhe i qëndroi gruas time mbi krye gjatë gjithë lindjes, njëlloj si mbi kryet e bijës së saj. Kur gjithçka përfundoi ajo ishte shprehur diku: “Ma bëri të mirën tek fëmija, pata kënaqësinë t’ja shpërblej tek fëmija”

Dy rastësi brenda dy orëve, besoj se nuk janë edhe aq rastësi. Për mua, ashtu siç thotë Gjon Pagëzori “Fjala u bë mish e banoi ndër ne”, edhe sot ne Ati na flet me gjuhën që ne e kuptojmë, por “shqisa” për të dëgjuar fjalën hyjnore është zemra. Ato që ndjen zemra kur syri dhe mendja shohin, përbën lidhjen e njeriut me perëndinë. Siç ka thënë Ciceroni “Zotin e njohim nga veprat e tij”, unë e njoha (dhe kjo nuk qe hera e parë) nga shembulli që AI më dha vetë duke më nxjerrë në udhën time në ditën time më të sikletshme, dy njerëz shumë të vyer për mua, por që pikërisht unë me vullnetin dhe ndihmën e Zotit atyre u kisha ngjallur të njëjtin çlirim e shpresë dikur. Reagimi i parë është frika. Gjithëpushteti hyjnor të bën të ndjehesh krejtësisht i zhveshur e i pafuqishëm. Siç pa dhe shpërbleu të mirën, krijuesi di dhe ndëshkon edhe mëkatin. Por vetëm pak çaste pas frikës në shpirtin tim erdhi e mbretëroi adhurimi dhe dashuria për ATIN. Këtë dashuri – megjithëse nuk jam i krishterë – dua ta them se ma ka mësuar Jezu Krishti. Këtu më duhet të sqaroj pak marrëdhënien time me besimin. Unë besoj në Zot. Besoj shumë. Kam lexuar librat e shenjtë (Dhjatën e re, Kuranin dhe një pjesë të Dhjatës së vjetër) dhe ende nuk e kam vendosur cila është struktura ime e të besuarit. Nëse zgjedh njërën më duket sikur bëj tradhëti ndaj tjetrës. Por kuptimin e dashurisë së amëshuar e pranoj se e kam mësuar prej Krishtit. Koncepti i të dashurit të të afërmit si vetveten dhe – ajo që e dallon qartaz Jezu Krishtin – është FALJA DHE DASHURIA PËR ARMIKUN!!! Titulli i librit “Zot, gënjeshtar apo i çmendur” më kujtoi se edhe unë dikur (pa guxuar ta quaj çmendur, por me një goxha dyshim në vetvete ) kam reflektuar shumë. Si mund të duash atë që të bën keq? Si mund të thuash, teksa po të marrin jetën: “Fali Zot se nuk dinë ç’bëjnë?” … kjo është çmenduri… (kam guxuar ta pëshpëris brenda mendjes sime)….

Para se të njihja Jezu Krishtin – i cili ishte i ndaluar për ne nga sistemi – fshehtas dhe me plot etje kam lexuar më të mëdhenjtë e psikoanalizës në botë. Kudo i kam gjetur në një mendje se njerëzit me çrregullime a sëmundje psiqike kanë si tipar pikërisht cënimin e sferës afektive. Pra , më thjesht, një i sëmurë psiqik, ashtu si një ulok pa duar apo pa këmbë, është një ulok PA DASHURI! Pra le të guxojmë të pyesim nëse një i çmendur që jo rrallë vret edhe të afërmit e tij, mundet të japë edhe jetën për dashurinë? Le të marrim një kryevepër të dramaturgjisë botërore. Tragjedinë Romeo e Zhuljeta. Ti je në sallë dhe drithërohesh dhe qan kur sheh sesi një djalosh i dashuruar marrëzisht me një vajzë vret veten kur sheh se objekti dashurisë së tij nuk jeton më. Më pas, vajza që zgjohet nga një vdekje e rreme, vret edhe ajo veten pasi sheh se ka humbur përjetësisht objektin e dashurisë së saj. Tani shohim një burrë 33 vjeç që shkon i qetë me kryq mbi supe për të vdekur në emër të dashurisë për gjithë njerëzimin: ata që po jetojnë me të dhe që do të jetojnë edhe pas kryqëzimit të tij. Ashtu si çifti i të dashuruarve në tragjedinë e Shekspirit, për këtë njeri me kryq mbi shpinë nuk ka kuptim jeta pa dashuri. Por jo jeta e tij: jeta jonë. Ai ka gjithë dashurinë e amëshuar për veten e tij. AI po i le xhelatët ta vrasin në emër të dashurisë për ne. Që neve të jetojmë pa peshën e mëkatit, me zemrën e ndriçuar prej ngazëllimit të dashurisë hyjnore. Kështu ne mund të jetojmë të lumtur, me jetën plot kuptim dhe ngjyra, ashtu siç ndoshta Romeo e Zhuljeta do të kishin kaluar ditët së bashku. Me lotë ndër sy për dy të dashuruarit fatkeqë ne themi: “Gjynah! Sa të mirë! Çfarë tragjedie! Madhështore…” ë rastin e atij që sakrifikohet për dashurinë tonë ne pyesim: “Mos është i çmendur ky?”. . Vdekja e një dashnori të dëshpëruar na mbyt me ngashërim, ndërsa poshtërimi kolektiv, mizoria e pamëshirshme ,ekzekutimi çnjerzor i një njeriu që i ka pranuar të gjitha këto thjesht që ata që do të mbeten gjallë pas tij dhe që do të lindin në shekuj, të kenë dashurinë e amëshuar, të kenë faljen e mëkateve dhe shpëtim të jetës së tyre. Mos ndoshta me “i çmendur” duam të themi “i jashtëzakonshëm”? Mbase këtë kanë menduar bashkëkohësit e tij kur e kanë parë të kryejë mrekulli siç është ringjallja e Llazarit apo shërimi i të verbërve. Mbase edhe ne kështu do ta quanim sot: Një njeri i mrekullive, nëse do të qe thjesht për bëmat e tij. Mbase një magjistar a iluzionist , siç ka plot sot që gëlltisin zjarr, ndajnë më dysh një trup njeriu në skenë dhe e ngjisin sërish. Pyetja është PËRSE e bënte? Një magjistar, iluziuonist a prestigjator sot këtë zanat e ushtron për të fituar para dhe famë. Një shëronjës i mjekësisë alternative (me biorryma, hipnoza etj) gjithashtu e bën për të fituar para. Në kohën e tij Jezu Krishti mund të qe bërë shumë i pasur nëse këto marifete do t’i kishte shfrytëzuar për të çuditur popullin dhe parinë e vendit. Sa baste do të viheshin për kthimin e ujit në verë apo shumëfishimin e bukës dhe peshqve! Sa të sëmurëve do nga parija e vendit do t’u kishte rikthyer shëndetin, duke siguruar një vend të privilegjuar në shoqërinë e kohës, nderim dhe para.Në fund të fundit, a nuk është motivi kryesor i gënjeshtrës të shpëtosh vetveten dhe të përfitosh diçka prej saj? A nuk është mashtrimi vepër penale meqë ti përfiton diçka nga truket që përdor ? Atëhere a mud të quhet mashtrues e gënjeshtar ai që gjithë mjetet për një jetë më të mirë dhe pozitë më të lartë shoqërore i përdor për të çuar vetveten drejt një vdekjeje të tmerrshme? A mund të quhet gënjeshtar dikush që i kërkohet thjesht të mohojë që nuk është biri i perëndisë dhe ai (qoftë për qejf të gënjeshtrës) nuk pranon ta bëjë por vazhdon kalvarin? Janë dy shkenca që duhet të japin shpjegim: Jurisprudenca dhe psikologjia.

Shkenca

Që prej Rëne Dekartit ,matematikan, fizikant, filozof francez lindur më 31 mars 1596 dhe vdekur më 11 shkurti 1650 shkenca dhe feja janë ndarë. Në kushtet e zhvillimit të sotëm vetë bota akademike ka hedhur tezën e ribashkimit, në një formë të përshtatshme të të dyjave. Kjo sepse ka plot dukuri shkencore që nuk shpjegohen dot më vetëm shkencërisht dhe plot mistere të fesë që kanë nevojë edhe për shkencën për të dalë në dritë. Le të themi se në 2000 vjet krishtërimi ka mbetur pak a shumë po ai në total, dhe krejtësisht i pandryshueshëm në doktrinë. Ndërsa shkenca është gjithnjë në evolucion. Teori që kanë bërë revolucione në fizikë, kimi, matematikë, sot shtudiohen thjesht për qëllime mësimore pasi janë zëvendësuar dhe zëvendësohen përditë nga teori të reja. Shkenca e shekullit të XX provoi shkencërisht se universi ka një datë krijimi . Provoi se ka edhe një rregullsi të përsosur të drejton gjithësinë. Teori si ajo e Çarls Darvinit, nëmos kanë rënë tërësisht posht, shtrojnë më shumë pyetje sesa japin përgjigje. Nëse njeriu rrjedh nga evoluimi i majmunit, po majmuni nga erdhi? Po ndërgjegjja si u krijua dhe përse? Albert Ajnshtajn , zbuluesi i teorisë së relativitetit ka thënë : “një gjë është absolute: që çdo gjë është relative”. Pra me një disiplinë që është përjetësisht në evolucion, me teori që ngrihen dhe rrëzohen a kundërshtohen, a mundet që njeriu të shpjegojë në mënyrë përfundimtare misteret e krijimit dhe krijuesit? Zoti nuk luan me zare – thotë sërish Ajnshtajn që do të thotë se GJITHÇKA në univers ka rregullsinë dhe ligjshmërinë e vet. Me këtë ligjshmëri absolutisht njerëzore ATI veproi me BIRIN e tij….nocioni AT dhe BIR nuk më lë në këto çaste të eci më tej me shkencën….pra po qëndroj pak tek ATI dhe BIRI. A është Jezu Krishti biri i Krijuesit? Atëhere le t’ja bëjmë këtë pyetje shkencës sot: Nëse një fëmijë lind nga fekondacioni in vitro, kur fetusi i fekonduar vendoset në mitrën e një gruaje tjetër bartëse….kush është nëna? Po baba, a mund të quhet ai që thjesht ka dhënë spermën e cila më pas përpunohet artificialisht jashtë proçesit ngatyror të ngjizjes së fëmijës? Po me krijesat e klonuara, cili quhet biologjikisht AT dhe cila MËMË? Po një domate e modifikuar gjenetikisht me genet e merlucit për t’i rrezistuar të ftohtit, çfarë bime është dhe kë ka “mëmë” dhe “at”? Pra nëse skeptikët kanë shtruar në shekuj pyetjen a është Krijuesi i Gjithësisë Ati i Jezu Krishtit, besoj se me aventurat e reja të shkencës, ky nocion është shumë më i ngatërruar sot sesa 20 shekuj më parë. Kur një krijesë tokësore arrin të riprodhojë të ngjashmin e vet jashtë rrugës natyrale të fekondimit seksual si dhe të prodhojë krijesa të tjera nëpër enë qelqi e metali, përse i duhet mohuar Krijuesit të Gjithësisë, atij që ndau dritën nga errësira, që ndau ujin nga toka, që nga balta krijoi njeriun dhe më pas nga brinja e tij krijoi gruan, të mos ketë mundësi që , me udhët e tij të mistershme të mundësojë që një grua e virgjër të ngelet shtatzënë? Ka ndodhur shpesh që fëmijë të adoptuar, në moshë të madhe kanë njohur prindërit biologjikë, por që deri në vdekje “nënë” dhe “baba” u kanë thënë atyre që i kanë rritur, ushqyer dhe edukuar. Nisur nga kjo e fundit, moralisht, Jezu Krishti njeh për AT atë që e solli në këtë botë me një qëllim hyjnor dhe ATË që i formoi dhe frymëzoi gjithë strukturën shpirtërore dhe mendore. Biologjikisht është ati që e ngjizi vërtet në barkun e një njeriu por, ndryshe nga ç’komentohet mëkot nga “dijetarë” (qoftë edhe besimtarë të feve të tjera) JO ME RRUGË SEKSUALE! Këtë e dëshmon fakti se e ëma ishte VIRGJËRESHA Marie. Fakti i virgjërisë përjashton raportin seksual dhe akuzën se “Zoti nuk mund të ketë fëmijë sepse është i pastër nga këto lloj raportesh”. I rikthehem Gjon Pagëzorit të cituar edhe në librin “Zot, gënjeshtar apo i çmendur” “Fjala u bë mish dhe banoi ndër ne” . Për ta futur Birin në jetën tonë duket sikur Krijuesi ka thyer rregullat hyjnore që ka vendosur vetë: Ngjiz një foshnje në barkun e një virgjëreshe. Këto “thyerje ligjesh” nga i Plotfuqishmi kanë sjellë ndryshimet dramatike të jetës njerëzore. Nga balta krijoi Adamin (pra lindje pa asnjërin nga prindërit). Nga brinja e Adamit krijoi Evën (pra lindje pa nënë). Më pas bëri prindër një çift në pleqëri të thellë, përtej çdo mundësie lindjeje (Abrahamin dhe Sarën). Ndaj, megjithëse e jashtëzakonshme dhe përjashtim prej rregullit, ngjizja e Marias së virgjër është një rregullsi në përjashtimet që vetëm Krijuesi i di se përse i bën. Siç ka thënë shën Athanasi, “Një Zot i kuptueshëm nuk do të qe Zot”. Por që deri më sot nuk ka guxuar asnjë llojë shkence ta mohojë atë që dëshmitarët e kanë parë dhe dëgjuar në atë kohë. Po ashtu dëshmitarët e asaj kohe e kanë paguar me vuajtje dhe jetë pohimin se kanë parë dhe prekur Jezusin e ringjallur. Pikërisht ngjizja hyjnore dhe ringjallja janë dëshmi e “thyerjes” së rregullsisë pikërisht për të respektuar rregullsitë e vendosura nga ATI. Lindja dhe ringjallja janë përshkuarja e largësisë së Jezusit nga froni në krah të Atit deri Tokë, për të jetuar si gjithë të vdekshmit e tjerë dhe më pas rikthimi për tek Ati, ose, nëse guxojmë të interpretojmë Gjon Pagëzorin “fjala u bë mish dhe banoi ndër ne”, në “mishi u rikthye në fjalë të banojë përjetësisht ndër ne”. Ndoshta hebrenjtë e asaj kohe janë pezmatuar e zhgënjyer që në vend të mbretit çlirimtar, Mesisë që do t’i çlirojë nga pushtuesit, u erdhi një marangoz që thoshte se qe Mesia që do t’i çlironte nga mëkati. Ata kanë pritur një hero me shpatë në dorë që shporr romakët nga toka e tyre dhe sjell lirinë. Por në fakt shohin një burrë të ri që shkon në kryq se nuk pranon të mohojë që është Mesia, Biri i Zotit. Nëse e lexon qoftë edhe si ateist Dhjatën e Re, të bie në sy figuracioni i pasur, parabolat, krahasimet , metaforat dhe plot figuracione që shfaqen në ato që thotë Jezu Krishti. Mesia u ka folur bashkëkohësve të tij , por edhe neve sot, pikërisht me anë të figurave. Thellimi në besim bën të hapen sytë e zemrës për të parë e dëgjuar ato që AI ka dashur të na thotë.

A ka qenë Mesia mbreti që prisnin hebrenjtë?

Në fund të fundit, ç’prisnin hebrenjtë nga mbreti i tyre? LIRINË! Për ta, mungesa e lirisë ishte për shkak të pushuesve të huaj. Por ta zemë se Mesia do të qe thjesht një luftëtar i zoti, heroik, i aftë, i dashur me popullin e tij… Ai do të kishte udhëhequr Izraelin në luftën çlirimtare dhe më pas, ose vet ose pasardhësi, do të kishte ndërtuar një shtet, mbase më të drejtin në botë, por gjithësesi një njësi administrative që përherë ka kufizimet dhe padrejtësitë e veta. Po le ta zemë se në të gjallë të tij do t’u jepjte gëzim e pasuri shtetasve të tij e më pas, në moshë të thyer do të vdiste e sërish, nëmos pushtuesi, një tiran vendas , do të shtypte a kufizonte ato që edhe sot quhen “liri”. Po ç’është liria? Për për një komb të pushtuar është largimi i pushtuesit, për një popull të shtypur është largimi i tiranisë, për një të burgosur është gjithë hapësira që ekziston përtej mureve të burgut, për një të sëmurë është rikthimi i shëndetit, për një adoleshent është thyerja e çdo rregulli që ka vendosur shoqëria, për një të uritur – një tryezë plot gatime të mira ku mund të hash sa të duash… Ndoshta një mbret i mirë mund edhe t’i sjellë të gjitha, në mos një pjesë të këtyre lirive. Por nga mëkati nuk të çliron dot askush përveç vetes apo atij që zgjedh ti të shpëtosh shpirtin tënd. Këtë dimension lirie e solli Jezu Krishti duke predikuar: “Unë jam rruga, e vërteta, jeta”. Siç ai vetë thotë Ati IM dhe jo ATI YNË, edhe ti dhe unë sot kemi MBRETIN TËND apo TIM. Është po e njejta marrëdhënie që Biri kishte me Atin. KREJTËSISHT INDIVIDUALE. Mbreti IM, ndryshe nga mbreti a kryeministri a presidenti YNË, nuk kujdeset për zgjedhësit, për rrugët, ujin e pijshëm, luftën, paqen, diplomacinë… por kujdeset thjesht për çlirimin e shpirtit nga mëkati dhe udhëheqjen në rrugën e mirë. Pikërisht ky dimension krejtësisht tjetër i lirisë, i vendosur në kultura të ndryshme, bën diferencën me kultura të tjera ateiste. Nuk do të qe aq madhështor Parisi, Roma, Firencja, Madridi etj pa këtë kulturë dhe liri. Para shumë vjetësh shkova në Paris në një udhëtim pune. Shumë më herët kisha mjaft kurreshtje të vizitoja varrezat Pere Lachaise (Per Lashez). Gjeta mundësinë dhe vërtet shkova, duke përjetuar aty një nga eksperiencat shpirtërore më të veçanta. Në atë qytezë me shtëpiza guri të vjetër kishte emra që kishin ndërruar jetë në fund të shekullit XVIII e më pas vazhdonin pasardhësit deri në ditët tona, të vendosur aty, si në një shtëpizë përrallash. I ardhur nga një qytet si Tirana, ku varri më i vjetër daton në vitet ’60 të shekullit të kaluar, ndjeva një emocion të veçantë. Aty njeriu kishte tjetër dinjitet dhe jetëgjatësia tjetër koncept. Pikërisht ai zinxhir brezash të bën të ndjehesh sa i vogël në jetën e botës, por edhe aq i madh, i qëllimshëm e i rëndësishëm në një vend ku respektohet dinjiteti dhe jeta i të gjallit dhe më pas edhe i të vdekurit….

Ateizmi

Brezi ynë po përjeton ngrohjen globale. Shkenca thotë se fajin e ka shfrytëzimi barbar i natyrës, dhe sidomos djegia e karburanteve fosile për qëllime industriale. Sot bota po kalon në një sistem të ri që quhet GLOBALIZËM. Në ditët tona Europa po kalon një nga krizat më të thella që pas luftës së dytë botërore. Për rrjedhojë , ndryshime të mëdha po ndodhin edhe në jetët e individëve. Ndryshime që fillojnë nga buka e gojës deri tek gjithë sistemi i jetesës. Një shoqëri me parime të forta morale e aq më tepër të mbështetura në themelet e krishtërimit nuk do të lejonte kurrësesi prepotencën të mbizotëronte ndaj mëshirës, moralin ndaj a/imoralitetit, etjen për para ndaj solidaritetit. Ndryshimet që po ndodhin kërkojnë detyrimisht mbajtjen e Zotit sa më larg njeriut. Etja për para është duke e kthyer njeriun modern në skllav të punës dhe, në orët e pakta pas saj, në skllav të vesit, si largim të stresit. Gjithnjë e më shumë po shtohen PUB-et, kazinotë, bilardot, pijetoret, sallonet e bukurisë ku njerëzimi i sotëm vret orët e lira dhe përpiqet të mbushë boshllëkun që thellohet përditë brenda shpirtit të tij. Me hapa të frikshme edhe në Shqipëri po përparon shkatërrimi i familjeve, rritja e numrit të divorceve dhe abortet. Zoti në jetën publike dhe media përmendet për Pashkë, Krishtilindje, Hashure, Nevruz e Bajram. Për fat të keq, edhe atëhere nga politikanët dhe jo nga njerëzit e fesë. Një Zot që nuk ekziston, në këto kushte duket se i bën mirë të gjithëve: Ata që jenë duke ndryshuar rregullat nuk kanë rezistencë ata që dehen netëve në kërkim të paqes nuk kanë pse të tremben nga mëkati i tyre…

… kthehem tek Armiri…

Mbi të gjitha kërkoj të jem i sinqertë me vetveten ndaj përsëris se besoj fuqishëm në Zot, e kam ndjerë shpesh në jetë dorën e tij, por nuk kam zgjedhur ende rrugën. Kjo për shkak të dashurisë dhe jo urrejtjes. Për shkak të nderimin dhe respektin për të gjitha fetë që na mësojnë se Zoti është Një. Megjithatë, pa shumë bujë, edhe unë dëshmoj se Jezusi, për aq pak sa unë kam hapur derën time, më ka ndryshuar. Një ndër vetitë që kam fituar falë fjalës së Mesisë është falja dhe dashuria. Kam falur shumë në jetë, nga ata që tinëzish dhe pabesisht më kanë bërë keq. I kam falur vërtet siç mëson Jezu Krishti dhe në vend të të nxehtit të urrejtjes në faqe e veshë dhe vëllimit të papërballueshëm të një gjëje gjigande që rritet në kraharor kur urren, kam ndjerë një paqe të pazakontë dhe shumë energji për t’u marrë me gjëra shumë më të bukura e të dobishme në jetë sesa mllefi e hakmarrja.

* * *

Nuk mund të dëshmoj sot nëse libri Zot, gënjeshtar apo i çmendur ma ndryshoi jetën. Por jam i lumtur se pata mundësinë të shpreh ç’më ndjeu shpirti, ç’kisha në mendje për vite me rradhë dhe që nuk kam patur mundësinë t’i ndaj me askënd. DUKE SHKRUAR KUPTOVA!

Armir Shkurti

 

Marrë nga botimetejetes.com

Etiketa: , , , , , ,

Kategoria: AKTIVITETE

Komento ketu