Vetmia… dhe kërkimi për dashurinë e vërtetë!

“Ç’janë këto ferra?” i thashë me shaka shoqes sime, vetmiasë cilës i kishin bërë dhuratë një kaktus në një vazo të vogël. Ishte thjesht batutë! E më vonë po mendoja që dikush, madje shumë dikusha, ndoshta as kaktus nuk kanë marrë sot dhuratë, megjithëse kanë pritur (vetmia???)…

Nata e 14 Shkurtit ka rënë. Zelli i “dashurisë” së një dite ka ikur. Tani fillon përpjekja për të gjetur dashuri për pjesën tjetër të vitit që, me thënë të drejtën, është goxha kohë e gjatë. Disa kanë marrë “lule” – përkthim: kanë marrë atë që kanë pritur sot. Por vetëm kaq. Nata bie edhe për ata dhe vështirësia e jetës fillon prapë nga e para. Disa të tjerë po prisnin lule, edhe i morën por pa mbaruar dita, festa nuk shkoi aq mirë. Dashuria e shprehur nga partneri nuk ishte krejtësisht ashtu si u mendua në fillim. Ndoshta! Disa të tjerë s’kanë marrë lule fare. Madje as u kujtua njeri t’ju thoshte një fjalë të mirë. Nuk është që po prisnin. Por kur të gjithë të tjerët “harbohen” duke festuar dashurinë, ti ndihesh më keq sesa duhet të jesh, vetëm sepse për ty nuk u kujtua askush. Disa të tjerë kanë protestuar sot për këtë festë “fallco” sipas tyre, për një shfaqje “dashurie” që nuk veç dashuri nuk është, sipas këtyre të fundit. Edhe këta, ma merr mendja që janë zhgënjyer, sepse ata që i dëgjojnë janë pak. Shumë pak për të mos u ndjerë “i padëgjuar” dhe vetëm.

Vetmia të troket në derë pa mëshirë edhe ngushëllimi i një dite nuk mjafton.

Në një artikull të mëpërparshëm, i shkruar për rastin e dashurisë së përkujtuar në Shën Valentin, cituam ca vargje nga Bibla. Po, nga Bibla! Bibla flet për dashurinë.

Ja ku janë vargjet përsëri:

“Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë, nuk vë në dukje, nuk krekoset, nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq; nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të vërtetën, i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, mban çdo gjë. Dashuria nuk ligshtohet kurrë.”

Një shtesë e nevojshme, që nuk është përmendur shumë në artikullin e parë, është ky: këto vargje të famshme për dashurinë, nuk janë shkruar për ditën e Shën Valentinit. Janë shkruar për një bashkësi njerëzish, që në përpjekje për të ndjekur Perëndinë, kishin ngecur në konflikte “të vockla” e krejtësisht të panevojshme në kontekstin e tyre. Ishte një grup i përçarë, një grup me standarde të lëkundshme morale, një grup ku disa individë që kishin parinë “kërkon të drejtat e veta” më shumë sesa ato të tjetrit, një grup ku nuk e merr vesh i pari të dytin, ku nuk kishte respekt për autoritetin, për më të vegjlit, dhe për më të dobëtit. Ishte një grup rrëmujë! I ngjashëm me realitetin shqiptar të 14 Shkurtit 2012.

Fjalët e famshme të dashurisë biblike, të përmendura nga Apostulli Pal, për realitetin në Korint ia vlejnë të dëgjohen edhe sot. Në thelb, ato fjalë hedhin dritë mbi dashurinë e Perëndisë për ne, një dashuri e durueshme (ai pret që ne ti bindemi atij e të pendohemi përpara Tij), nuk kërkon të vetat në egoizëm (ai na fal ditë për ditë përmes dashurisë së tij), një dashuri sakrifikuese (Ai dërgjoi Birin e Tij të vdesë në kryq për ne) që të mund të na japë shpresë e dashuri për të gjitha ditët e vitit… e për vetë përjetësinë!

A e ke provuar këtë lloj dashurie? Vetëm sepse ke njohuri për Krishtin, a shkon në kishë, a lexon Biblën, a tallesh me të krishterët – nuk do të thotë që e ke provuar këtë lloj dashurie. A e ke provuar këtë lloj dashurie?

Ruaju nga ferrat dhe kënaqu (gjeje) dashurinë e Perëndisë! Na kontakto nëse do të dish më shumë për këtë lloj dashurie që nuk mbaron në darkën e 14 Shkurtit…

Dua të di se si ta provoj këtë lloj dashurie.

Dua të di më shumë

(Këtu do të gjeni dy seri me artikuj që tregojnë më shumë mbi marrëdhënien personale midis njeriut dhe Jezusit)

Afrim Karoshi

Etiketa: , , , ,

Kategoria: Dashuria

Komento ketu