“Vëllai i madh” i “Big Brother”

Të gjithë e kemi parë “Big Brother” apo “Vëllain e Madh”, Reality Show-n më të suksesshëm të momentit jo vetëm në Shqipëri por edhe në të gjithë botën. Që prej transmetimit të parë në Veronica TV Channel ne Hollandë në vitin 1999 formati televiziv ka ndezur kureshtjen e teleshikuesve anekënd globit duke patur shikueshmërinë më të lartë televizive në rreth 70 vende të botës. Padyshim që mund të cilësohet si formati Hit i televizionit aktual. Po çfarë e bën “Big Brother” dhe formatet e tjera të tipit Reality Show kaq të suksesshëm? Dëshira e përkthyer në kureshtje për të vëzhguar jetët e të tjerëve, për t’i njohur, për t’i parë se si do të reagojnë qëndron në themel të arsyes dhe pyetjes PSE? Duket që i gjithë njerëzimi është i ”prekur”dhe kjo është kuptueshme. Si qënie sociale që jemi, kemi nevojë për njëri-tjetrin, kemi nevojë të jemi pjesë një grupi shoqëror, të një komuniteti të rrethuar nga njerez të tjerë që i shikojmë dhe na shohin në të njëjtën kohë.

Nga këndvështrimi psikologjik është interesant fakti që me anë të këtij formati televiziv, mund të analizosh sjelljen e njerëzve dhe reagimet e tyre kur mbyllen në një shtëpi me njerëz të tjerë me opinione dhe vlera të ndryshme. Në fakt jeta e përditshme, jo pak herë të ofron mundësi të tilla “ballafaqimi” me të tjerë, që janë ndryshe nga ti në ide, qëndrime apo vlera. Përplasjet e mendimeve ndodhin jo pak herë. Kundershtitë, ndasitë, mospëlqimet, ndarjet ndodhin në jetën e përditshme, veçse në ndryshim nga formati televiziv ne i mënjanojmë, distancohemi, largohemi dhe bashkohemi me ata që mendojnë si ne. E vërteta është që ky ballafaqim idesh dhe mendimesh nuk është aq shumë i këndshëm. Ndaj i shmangin “të ndryshmit”. Big Brother në ndryshim nga realiteti e sforcon këtë bashkëjetesë deri në kufijtë e së pamundurës apo mospëlqimit të hapur midis banorëve.

Nëse jeta do të ishte hermetikisht e mbyllur dhe e izoluar, si në Big Brother, nuk e di se si do te dukej bashkëjetesa e ideve dhe e njerëzve që i mbartin këto ide. Në njëfarë mënyre,  jeta e përditshme i ngjan këtij formati.

Po kush po na vëzhgon ndërkohe në këtë “Big Reality Show”, përveçse atyre që jetojnë bashkë me ne? Askushi, Big Brother, Perëndia…?

Në formatin televiziv “Big Brother”, vëzhguesi është dikush dhe njëkohësisht askush; një personazh misterioz, i padukshëm. I pari që e hodhi idenë e këtij personazhi ishte George Orwell, në novelën e tij,  botuar në vitin 1949. Formati televiziv vetëm e përpunoi pak imazhin e Oruellit.

Roli i “Vëllait të Madh” është të vëzhgoje, të kontrollojë dhe të vendosë rregull e drejtësi për të gjithë. Ky rol autoritar i padiskutueshëm, dhe herë herë i rreptë, i jep emocion lojës, ankth, pritje dhe në fund një vlerësim për banorët.

Bota është si një “Big Brother” i madh në të cilin banorët më shumë sesa konkurojnë midis njëri-tjetrit veçohen gjithnjë e më shumë dhe vetëizolohen në mes të kaq shumë “dhomave” të kësaj “Shtëpie” të madhe të quajtur Tokë.

E pranoj që krahasimi i jetës njerëzore me formatin televiziv ka dobesitë e veta. Por në të njëjten kohë, vë re një shëmbëllim të jetës që na përshkruan kaq qartë: njerëz me qëndrime të ndryshme që duhet të jetojnë së bashku. Një  lloj paradoksi që është realisht i vërtetë. Nominimet e formatit televiziv ngjasojnë me ikjet nga kjo botë, e megjithatë lojës dhe jetës njëkohësisht nuk duket se po i vjen fundi. Mospëlqimet, ndarjet, bashkimet, veçimet, romancat, pëlqimet, ikjet vazhdojnë – sikur të jenë pjesë e një skenari të pashkruar!

Ne jemi pjesë e këtij “Realiteti Show” të madh njerëzor. Dhe ku realiteti nuk mund të jetë i vetëkrijuar apo i vetëshpikur. Shpika e një “realiteti” të këtij lloji nga ana e vetë “lojtarëve” nuk do të kishte shumë llogjikë.

Ne si njerëz jemi pjesë e një “Reality Show” të madh njerëzor që ngjason por njëkohësisht edhe ndyshon nga “Big Brother” televiziv.

Egziston një “Big Brother”, i quajtur Perëndi, ai që ka ideuar dhe krijuar këtë realitet njerëzor. I krijuar në mënyrë perfekte “Reality Show Hyjnor” ndryshoi fatkeqësisht për shkak të njeriut skenar dhe cmim njëkohësisht . Ai mori tjetër udhë, për shkak të dëshirës së “lojtarëve” për ta shfrytëzuar lirinë që ju dha Krijuesi, e për të zgjedhur të keqen në vend të së mirës që ofronte Perëndia. Por për fat të mirë, Perëndia – Ideuesi dhe Krijuesi – nuk lejoi që ky devijim i zemrës së njeriut, të përfundonte në nominimin dhe largimin tonë të përjetshëm nga prania e Tij. Ai solli një “Banor të ri” 2000 vjet me parë, që të jetonte si ne, në të njëjtin planet, banor i cili do të përballej me të njëjtat probleme dhe mundime ashtu si ne, duke na treguar jo vetëm shembullin e banorit të përsosur, por mbi të gjitha për të njohur atë që është më i rëndësishmi – Ideuesin dhe Krijuesin e këtij Reality. Për këtë Big Brother Hyjnor, nuk mjafton vetëm të thuash “Big Brother is watching you” por duhet të thuhet “megjithëse ai po të shikon, kjo nuk sjell frikë e turp, por besim, respekt dhe mbi të gjitha njohjen e vërtetë të realitetit dhe autorit të këtij realiteti: Perëndisë vetë.

Shkroi për Jetë Studentore

Genci Hoxha

 

Etiketa:

Kategoria: coffeeTIME

Komente (1)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. afrim says:

    me qe ra fjala, kush do te fitoje Big Brother kete vit?

Komento ketu