Persiatje “studentore” mbi dy vdekje

Të gjitha lajmet vijnë nga Facebook-u: edhe të mirat, edhe të këqijat. Dje, kur hapa profilin tim ne Facebook të gjithë po vajtonin largimin nga jeta të Steve Jobs, themeluesit të Apple. Kemi një prirje që pas largimit të dikujt nga jeta të vëmë në dukje gjithçka të mirë që kanë bërë njerëzit. Ndoshta jua themi këto të mira edhe përpara vdekjes. Por pas vdekjes, si duket ndjesia e qartë dhe e plotë e largimit, e bën të nevojshme ri-theksimin e çdo kontributi që ka sjellë njeriu në këtë botë. Ky fenomen ra në sy kur aktori i njohur i humorit, Vasillaq Vangjeli ndërroi jetë përpara disa ditësh. Papritur të gjithë u kujtuam për aktorin. Të gjithë e kanë një fjalë të mirë, pas vdekjes. Në humor, miqtë e aktorit, e theksuan idenë se kanë nevojë për këtë lloj vlerësimi më shumë përpara vdekjes se pas. Gjithsesi, ne kemi qejf të themi gjërat e mira.

Në këtë turravrap për të theksuar të mirat, fjalët për Steve Jobs nuk kanë të sosur. Ai ishte një bërës i kulturës që e ka ndikuar krejtësisht dhe rrënjësisht mënyrën se si mendojmë, se si ndërveprojmë, dhe se si punojmë për të arritur qëllimet tona. Madje edhe kritikët përdorin “shpikjet” e Steve-t për të komunikuar kritikat e tyre! “Enough said”, do të thoshin amerikanët! Bota virtuale është e mbushur me komente rreth Steve Jobs dhe ne nuk kemi nevojë të themi më shumë.

Sot Facebook-u më dha një lajm tjetër. Ramiz Alia ka vdekur. Lajmi sapo është përhapur. Si duket, një vdekje e pritshme për familjen e tij, por jo për ne të tjerët që s’dinim gjë për gjendjen e tij shëndetësore. Çfarë do të thonë shqiptarët për të? Njësoj si për Steve Jobs? Apo ndryshe?

Në këtë lajm vdekjesh brenda javës, ia vlen të nxjerrim ca pika përsiatje që mund të jenë me vlerë për “Jetën Studentore”:

  • A nuk duket e pakundërshtueshme faktikisht që vdekja është e sigurt 100% për të gjithë? Nuk ka asnjë dallim. Nuk ndryshon asgjë nëse je aktor humori, shpikës i njohur botërisht apo president. Të gjithë mbarojnë njësoj.
  • A nuk duket se ka vlerë ajo që bëjmë? Disa njerëz do të vlerësohen më shumë se të tjerë – dhe në një farë mënyre ka vend për vlerësime të ndryshme. Njerëzit do të flasin ndryshe për ty nëse ke qënë diktator e ndryshe nëse ke qënë një ideator i jashtëzakonshëm që ke sjellë një kontribut për njerëzimin (pavarësisht se në rastin e Steve Jobs ai e ka sjellë kontributin por ne e kemi paguar secili nga pak!). Gjithsesi, pika ka vlerë: kujdes se si e jeton jetën. Kujdes se si i trajton të tjerët. Ruaje mënyrën se si bashkëvepron me bashkëqytetarët e tu: është një gjë të bashkëpunosh me ta për të mirën tënde edhe të të tjerëve, është një gjë tjetër ti shfrytëzosh të tjerët duke i konsideruar si qënie më të ulta që thjesht janë krijuar për të qënë në shërbimin tënd.
  • Kur vlerësojmë disa, duket sikur nënvlerësojmë disa të tjerë. Zoti na ka krijuar të gjithëve njësoj. Në fund të fundit, nuk është puna se sa të rëndësishëm kemi qënë por çfarë kemi bërë me atë që kemi qënë. Të gjithë kanë vlerë. Dhe duhet ta përdorim mirë vlerën që kemi!
  • E fundit, a nuk duket se ka një gjë që duhet menduar për jetën pas vdekjes? Ku shkojnë gjithë këta ish-diktatorë, ish-humoristë, ish-shpikës, dhe ish-a të tjerë që s’po i përmendim? Përshtypja e fortë që kemi thellë në qënien tonë është që këta nuk mund të kenë shkuar në Askund. Duhet të kenë shkuar diku. Kërkoji përgjigjet për botën tjetër sepse ndoshta të duhet ta dish që ke një zgjedhje edhe andej… dhe mos e humb rastin.

Etiketa: , , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komente (1)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. Tola says:

    C’dobi ka njeri nese fiton gjithe boten, dhe me pas humb shpirtin e vet!! Mendime shume te mira Afro! Flm

Komento ketu