Universitet – Premtimet e rreme!

Nëse keni qoftë edhe një copë të vëmendjes suaj te ajo që thuhet publikisht në stenda në rrugë, në reklama në TV, a në biseda mes të rinjsh kandidatë për universitet, dallohen qartë “premtimet” e panumërta që ofrojnë universitetet shtetërore e private. Disa thonë “jemi për ju”, të tjerë,“të kristalizojmë të ardhmen”, në to mund “të njohësh botën përmes dijes”, “të tregosh veten”, të gjithë kanë “studentin në qendër” dhe “nuk ke nevojë të kërkosh suksesin larg” përveçse në dyert e këtyre universiteteve.

dagolli adNdoshta pika më e largët ku kanë shkuar këto universitete në reklamimin e aftësive të tyre është reklama e famshme me shkrimtarin e njohur shqiptar Dritëro Agolli. “Njeriu mëson edhe të vdesë”, thotë Agolli, një thënie e vendosur në kontekstin e reklamës për një universitet privat.

Për ne që e kemi kaluar përvojën studentore (madje edhe jashtë shtetit) mund të dallojmë premtimin fals që reklamojnë këto universitete. Ne e dimë nivelin e shkollës shqiptare, fatkeqësisht e mbytur me probleme të pafundme, me studentë, që tani për tani e zgjedhin shkollën si mundësi për të shtyrë jetën (kuptohet, jo të gjithë), disa e zgjedhin sepse s’kanë altërnativë tjetër (kuptohet, jo të gjithë) e disa të tjerë familja ka ca para mënjanë që është më mirë të shkojnë për shkollën e fëmijëve sesa për rrugët e fëmijëve (kuptohet, jo të gjithë).

Pse po e vëmë në dukje këtë fenomen?

  1. E para, për të hequr mjegullën mashtruese se thjesht të qënit në universitet të siguron gjithë këto “të mira”, a thua se universiteti është i vetmi institucion ku parajsa ka zbritur në tokë.
  2. E dyta, për të ritheksuar edhe njëherë atë që universitetet nuk e thonë në reklamat e tyre: cilësinë e jetës e vendos ti dhe jo patjetër ambienti ku studion. Librat do të të bien në dorë dhe universiteti nuk do t’ia dijë nëse lexon apo jo, për sa kohë ti paguan rregullisht. Mundësinë për të gjetur përgjigje për jetën duhet ta kërkosh vetë, sepse universiteti të ofron vetëm përgjigje të limituara. Mund të mësosh në fakultetin e Mjekësisë rreth personave që vdesin, por nuk i gjen dot përgjigjet rreth jetës e vdekjes duke parë trupa të vdekur në morg. Kur isha unë në universitet, – shumë vite përpara, por i ngjashëm më atë që vë re sot, – rrallë gjeta përgjigje për pyetjet e vështira të jetës brenda godinës së universitetit. Madje, për disa prej këtyre çështjeve (jeta, vdekja, dashuria e vërtetë, pse ekzistoj, Zoti, besimi), vështirë se do të të dëgjojë dikush nëse e hap bisedën…

Lexoji “premtimet” e universitetit si dëshirë e tyre për të patur studentë cilësorë dhe kërkoji përgjigjet për jetën, mundësisht përtej ndërtesës së universitetit…

 

Etiketa: , , , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komento ketu