Ne jemi Lëvizja “Jetë Studentore Tiranë”
Miq studente mireseerdhet. Faqja qe po beheni gati te eksploroni eshte nje iniciative e Jete studentore Tirane. Nje levizje studentore e krishtere qe ka per qellim te ndihmoje studentet ne fushen akademike, shoqerore dhe shpirterore.
Jeta studentore nuk është thjesht një kohë për të grumbulluar informacion dhe për të përfituar një diplomë. Përtej kësaj, ajo është koha më e volitshme për të bërë zgjedhje që më pas do të na drejtojnë në jetë. Duam apo nuk duam, kjo është periudha vendimtare për të rrokur ato vlera që do të bëhen qendra e jetës sonë. Pra, përveç pjekurisë intelektuale dhe akademike, mënyra se si do t’i mbushësh këto vite që ke përpara, do të lënë një gjurmë të thellë edhe në botën tënde të brendshme shpirtërore, në karakterin dhe individualitetin tënd. Bota shpirtërore është ajo sferë ku ne kërkojmë përgjigjet e pyetjeve më të rëndësishme dhe më të vështira të jetës :
Pse jam këtu? Kush jam unë? Ç’kuptim kanë jeta dhe vdekja, e mira dhe e keqja, shpresa dhe besimi , urrejtja dhe dashuria? Mënyra se si do të zgjedhësh t’u përgjigjesh këtyre pyetjeve do të përbëjë edhe burimin e forcës, urtësisë dhe të drejtimit tënd në jetë.
Si çdo rrugëtim tjetër në jetë, edhe rrugëtimi studentor ka nevojë për bashkëudhëtarë, ka nevojë për miq. Ne jemi një lëvizje studentësh e quajtur “Jetë Studentore” dhe dëshirojmë ta bëjmë rrugën bashkë ndërsa synon studime të suksesshme, shoqëri të vërtetë dhe një ambjent për të skalitur karakterin tënd. Pikërisht në këto aspekte ne duam të të ndihmojmë jo vetëm të mbijetosh gjatë këtyre viteve, por të jetosh plotësinë e jetës studentore me qëllim.
Në një nga udhëkryqet e jetës sime studentore u ndesha me “tabelën”; Njihni të vërtetën dhe e vërteta do t`ju bëjë të lire”. Më lejoni që si bashkëudhëtarë, t`ju ftoj ndërsa keni nisur këtë udhë, të ndiqni drejtimin që ju udhëheq drejt së Vërtetës. Kësisoj, ju me siguri do të dini se ku po shkoni. Kjo do t`u vlejë për të ndërtuar një themel të qëndrueshëm në jetën tuaj.