Të 50-tët përtej njerëzores…

Japonia është në qendër të lajmeve anembanë botës. Tërmeti shkatërrues, përmbytjet massive nga tsunami tashmë janë bërë pamje të gjallë për gjithsecilin. E ndërkohë që vendi është në krizën më të rëndë që nga lufta e dytë botërore për shkak të tërmetit dhe tsunamit, gjithë bota i ka sytë tek rreziku i një shpërthimi të mundshëm bërthamor me pasoja katastrofike për gjithë kontinentin… e ndoshta më gjërë. Sot gazetat shkruanin që banorët e Kalifornisë kanë filluar të marrin masa për një shpërthim të mundshëm bërthamor.

Banorët e zonës përreth centralit bërthamor po shpërngulen. Përveç atyre, heronjve pa emër, rreth 50 personave që vazhdojnë të kujdesen për centralin, duke u përpjekur të shmangin katastrofën.

Gazeta “New Jork Times” shkruante sot, duke ju referuar ekspertëve, se këta 50 punonjës mund të jenë caktuar ose mund të kenë dalë vullnetarë për të punuar tek centrali. “Kur hanë drekë”, thotë njëri prej këtyre ekspertëve, “ndoshta diskutojnë se çfarë do të bëjnë nëse ndonjë shpërthim i mundshëm do të ndodhë”.

Po mendoja për mendimet që ju kalojnë në kokë “të 50-tëve” ndërsa përpiqen të ftohin reaktorët bërthamorë. “Po sikur të dalë jashtë kontrollit? Kë do të marr në telefon, nëse kam mundësi? A do të kem mundësi të takoj familjen edhe njëherë? Ku do të shkoj pas vdekjes? A ka jetë pas vdekjes? Kush e shkaktoi gjithë këtë tragjedi?… Po sikur të shpërthejë pas 5 sekondash?…”

Me siguri, nuk është situata më e këndshme ku mund të gjendesh… E megjithatë, heronjtë janë gjithmonë ata që e dinë se të tjerët i pret vdekja nëse ata, heronjtë, nuk ndërhyjnë për të bërë ndonjë gjë…

Për të dhënë ndonjë zgjidhje, për t’u kujdesur për të tjerët duke i qëndruar përballë rrezikut…

Janë këto shembuj, si ata të 50-tët që ndërkohë që ju po lexoni këto fjalë janë duke u parë sy më sy me vdekjen, që na tregojnë se e mira e njeriut, e mira që vjen prej vetë Perëndisë, nuk ka pushuar së ekzistuari.

Disa janë gati të japin jetën për të tjerët…

Ashtu si ai, Krishti, dy mijë vjet më parë, la mënjanë privilegjet që i takonin për t’u përballur me vdekjen që ne të mos vdisnim…

Heronjtë janë ata që janë gati të sakrifikohen për të tjerët, duke e ditur që sakrifica e tyre ia vlen për të shpëtuar një jetë tjetër njeriu.

Çfarë të bësh sot për t’u bërë një hero?

* Lutu për të 50-tët e më shumë ndoshta, që janë në vatrën e një reaktori bërthamor që mund të shpërthejë nga momenti në moment. Lutu që Zoti do të kursejë jetët e tyre e jetët e mijëra njerëzve në Japoni e përtej.

* Mendo, kush është fronti yt i betejës, ku ti mund të japësh nga vetja jote në shërbim të të tjerëve?

* Pasi ta kesh gjetur këtë front, merr hapa për të qënë si një prej të 50-tëve, heronj të vërtetë që sakrifikojnë nga vetja në shërbim të së mirës së tjetrit.

* Njih Jezusin dhe tregojua atë të tjerëve. Ai ia vlen. Në një botë të pasigurtë, Jezusi është i vetmi ku mund të mbështetemi… I vetmi!

Etiketa: , , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komento ketu