Sex & the Student City

“Sex & the City”, një seri televizive amerikane mjaft e suksesshme, tashmë po lë pa gjumë shikuesit shqiptarë. Filmat dhe seritë kanë tërhequr shikueshmëri dhe para. Duket që autorët kanë goditur në shenjë. Fabula e serialit sillet rreth 4 grave të reja dhe statuse të ndryshme në shoqëri, të cilat ecin me hapin e kohës, në një qytet ku trendi i  mentalitetit i shtyn drejt pasionit dhe intimitetit. Në kërkim, koha dhe qyteti në të cilin jetojnë,  sundojnë vlerat e jetës së këtyre grave.
Filmi pasqyron një kërkim të pandalshëm drejt dashurisë, dashuri e cila duhet të mbushë boshllëkun e tyre shpirtëror. Kërkimi i dashurisë së vërtetë. Kërkim i cili nuk ka të sosur…

Si gjendet dashuria e vërtetë?

A janë të kënaqura këto personazhe në kërkimin e tyre? Cila është mënyra më e mirë për të kërkuar?
Kjo histori ngjan me një Déjà vu, një pamjse që se-ku-e-kam-parë më përpara. I ngjan ditëve të para të tetorit, kur maturantët trendy zbresin gjithë entuziazëm në botën e re akademike në ambientin studentor. Dhe ashtu siç reflektohet në serial, siç e konfirmon shoqëria jonë, dhe përvoja të gjithë jemi në kërkim të intimitetit. Jemi gjithnjë në kërkim të dashurisë. Edhe studentët.
Në kërkimin tonë, shekulli në të cilin jetojmë, na i imponon vlerat, megjithëse është epoka e Facebook-ut dhe Tëitter! Në këtë përplasje vlerash, gënjeshtrat futen në treg, dhe na ngatërrojnë  urinë tonë për dashuri me receta të pamjaftueshme.
Ne duam pranim, marrëdhënie të sigurta, dhe miqësi  të ngushtë. Por ende besojmë në gënjeshtrën se seksi do të kënaqë urinë tonë. Është e vërtetë se jemi qenie thellësisht seksuale, por është koha gjithashtu të shqyrtojmë disa nga keqkuptimet që ofron qyteti ynë, në keqkuptimin e seksualitetit.
Siç na mëson edhe historia, gënjeshtra mund të tingëllojë si e vërteta e kulluar e shekullit, kur iu ofrohet njerëzve të uritur për të vërtetën.
Dëshirat tona nuk janë me siguri të reja, ata janë të vjetra sa njerëzimi. Dallimi në botën ku jetojmë fillon tek kërkimi për t’i përmbushur këto impulse në mënyra të çuditshme: me makina, me TV, celularë e kompjutera, përmes sportit, dhe madje edhe seksit. Sidomos nëpërmjet seksit.
“Provoje  vetëm një herë dhe do të ndjehesh i/e plotësuar… Shko në shtrat me partnerë të ndryshëm dhe nuk do të të mërzitet seksi… një jetë pa seks është një jetë pa përkatësi… nuk mund të martohesh pa u përfshirë seksualisht, se vetëm kështu e njihni njëri tjetrin ashtu siç duhet…”. Përvoja seksuale ka marrë trajtën e një të drejte personale që duhet shpërdoruar pa asnjë çmim a kusht, dhe vetëm kur e shpërdoron, je i pranuar nga shoqëria!
Tragjedia e gjithë këtij skenari, është se ndërkohë, jemi duke “vdekur” nga uria emocionale për intimetet, për një qënie të llojit tonë, që të na dojë pa kushte, që të na vlerësojë ashtu siç jemi, dhe të mos fusë në mes të marrëdhënies, blerjen egoiste të trupit tonë për përfitimet e tij të momentit.
Që të mos kërkojmë ushqim në vendet e gabuara, ja ku vijojnë shtatë gënjeshtra që qarkullojnë në qytetin tonë studentor rreth seksit:

Gënjeshtra # 1: Pa marrëdhënien seksuale nuk krijon dot miqësi të ngushtë.

Ndërveprimi fizik seksual është një shprehje e intimitetit të ngushtë, por nuk është e vetmja shprehje e intimitetit. Afërsia e vërtetë buron nga bashkësia verbale, emocionale, dhe fizike. Intimiteti i vërtetë ndërtohet mbi një përkushtim për ndershmëri, dashuri dhe liri. Miqësia e ngushtë, që ti biem drejt, nuk ka pothuajse asgjë të afërt me organet tona seksuale. Një prostitutë mund të të ofrojë gjithçka që ka, por jo në këmbim të miqësisë së ngushtë por të parave.

Gënjeshtra # 2: Përfshirja seksuale në fillimet e një marrëdhënije, do të të ndihmojë të njihesh më mirë me partnerin dhe është një test i domosdoshëm për të ditur nëse je partner i mirë.

Përfshirja seksuale në fillimet e një marrëdhënie nuk është hapi më i përshtatshëm për ndërtimin e një raportik të shëndetshëm paramartesor. Sigurisht që kjo lloj përfshirje ofron kënaqësi sensuale, por nuk është rruga më e mirë për lumturi bashkëshortore. Seksi është një art që mësohet dhe shijohet më mirë në një mjedis të sigurt siç është marrëdhënia e konsoliduar, martesa. Një studente, e cila po ballafaqohej me pakënaqësitë e saj seksuale, e kapërceu sikletin e momentit dhe më pyeti troç: “A është seksi në martesë një gjë e keqe, siç është jashtë martesës?” Ajo kishte ardhur në fund të ylberit, në kërkim të Eldorados-dashurisë së premtuar dhe kishte gjetur vetëm zhgënjim. Seksi nuk është “gjë e keqe” por mund të kthehet në të tillë nëse i mungon korniza e duhur e përkushtimit në martesë.
Një sekret: Çiftet e martuara kalojnë më pak kohë në shtrat, në krahasim me kohën që kalojnë duke biseduar, duke ndërtuar lidhjen e tyre emocionale dhe në kohë cilësore me njëri tjetrin. Gënjeshtra që seksi paramartesor ju përgatit për martesën, e anashkalon faktin e rëndësishëm që lumturia seksuale arrihet vetëm përmes viteve e viteve në një marrëdhënie intime. Studimet e psikologëve e konfirmojnë që kulmi i kënaqësisë seksuale, zakonisht arrihet pas dhjetë ose njëzet vitesh në martesë.

Gënjeshtra # 3: Seksi rastësor pa angazhime afatgjata është zbavitje dhe liri.

Një studiues vërejti se “seksi rastësor mund të konsiderohet një festë e vërtetë intime po aq sa ç’është një sanduiç një vakt luksoz. Pra, i ngjan një lloj ushqimi fast food-i që shërbehet në pjatë plastike. Shijimi i jetës intime seksuale ofrohet vetëm për ata që janë të gatshëm që të angazhohen afatgjatë në një nivel shumë personal, duke ofruar gjithë veten e tyre, pa mbajtur prapa asgjë”.

Gënjeshtra # 4: Nëse nuk e shpreh lirisht seksualitetin, atëherë ndjenjat e tua janë të shtypura, të ndrydhura e kësisoj ti je i/e sëmurë, ose fetar.

E vërteta, sipas studimeve, shkon në kundërshtim me këtë ide. Seksi i parakohshëm krijon probleme për shëndetin emocional, fizik dhe social. Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Indianës në SHBA, të rinjtë seksualisht aktivë kanë më shumë prirje drejt alkoolit dhe drogave të paligjshme, dhe gjithashtu kanë probleme në shkollë. Vajzat e përfshira seksualisht në moshë të re, ka më shumë të ngjarë të bien në depresion, vetë-vlerësim të ulët, ndjehen të vetmuara, dhe mendojnë vetëvrasjen më shumë se moshataret e tyre.

Gënjeshtra # 5: Seksi është liria.

Seksi paramartesor vështirë se mund të konsiderohet si shprehje e lirisë. Të rinjtë që përfshihen seksualisht në përgjigje të presionit të kolegëve, në të vërtetë janë viktima të opinionit publik të momentit. Askush nuk është i lirë nëse vepron, vetëm e vetëm që të kënaqë opinionin apo ti bëjë përshtypje shumicës.

Gënjeshtra # 6: Edhe Zoti e kupton se jemi në shekullin e XXI-të! Kësisoj, as Ai nuk e ndalon atë që shoqëria e konsideron të pranueshme.

Zoti i kupton kohët. Por gjithashtu, duke qënë Ai vetë autori i seksit, ai e kupton gjithashtu kënaqësinë që vjen prej përfshirjes seksuale. Nga ana tjetër, ai e kupton gjithashtu dëmin që mund të shkaktohet nga përfshirja në marrëdhënie seksuale pa përkushtimin e duhur emocional dhe shpirtëror. Në martesë, seksit i thonë kënaqësi! Të jesh i matur para martesës, dhe besnikëria monogame pas martesës, nuk janë mohim i të drejtave apo kënaqësive të mia. Madje e kundërta, këto elementë sigurojnë shijimin e plotë të seksualitetit. A nuk do të ishte e mrekullueshme të shikojsh marrëdhënien seksuale, pa patur frikë se do të zbulohesh e madje krejt i lirë për ta shijuar këtë marrëdhënie me personin që je përkushtuar ta duash për gjithë jetën?

Gënjeshtra # 7: Pse të pres? Nga ta di që pritja është vërtet zgjedhja më e mirë? Ndoshta është më mirë që të shfrytëzoj çdo mundësi që më del përpara.

Nëse vendos të presësh, atëherë do të kesh mundësi të përjetosh një marrëdhënie me vlerë me partnerin e ardhshëm. Nëse nuk pret, do të shijosh momentin por gjithashtu do të vuash shenjat që të lë përfshirja seksuale pa një ambient të sigurt përkushtimi. Nuk mund ti kesh të dyja rrugët. Vështirë se mund të argumentohet se seksi paramartesor ia vlen. Dëshmitë mjekësore, studimet sociologjike e mbështesin fuqimisht idenë se seksi jashtë martesës nuk është i sigurt dhe i mirë për ne. Pikë muhabeti, seksi paramartesor nuk e përmbush nevojën tonë për dashuri të vërtetë.
Por në fund të fundit, edhe kjo është një çështje besimi. Për vajzat dhe djemtë e këtij shekulli: qyteti studentor është sfida juaj.

Agustin Prenga

, , , 1 Koment
Komente Rreth Këtij Artikulli
  1. Cfare mendoni qe meson ambienti rreth marredhenieve seksuale?

    Afrim on October 13, 2010 Reply

Fshij