Mbamëni amani!

Unë jam origjinali, thotë Aurela Gaçe në hitin e saj të verës.

“Mbamëni, amani, nuk mund të ndal… kufinj nuk kam!” vazhdon kënga me gati 3 milionë klikime në Youtube. Refreni i këngës ngjan me thirrjen e mjaft të rinjve që tashmë e kanë lënë pas 18-vjeçarllëkun edhe janë në Universitet. Me “U” të madhe! Pas pritjes së gjatë e të vaposur, ka ardhur momenti “të të mbajë dikush” sepse origjinaliteti yt do të shkojë përtej kufinjve – në ëndrra për një të ardhme më të mirë.

O burra! Ia dola! Mbamëni!

Lëvizja “Jetë Studentore” dëshiron “të të mbajë”. Nga përvoja jonë, një i sapoemëruar student, në një farë mënyre duhet “mbajtur”. Aventura jote larg familjes, para që duhen administruar nga ti vetë, ndarje me miq të vjetër e një fillim i ri, krijojnë një vorbull që aq sa ç’është i këndshëm, po aq është edhe stresues në hapat e parë. Megjithatë, nuk e kemi fjalën të të kufizojmë a
të të pengojmë në rrugën e zbulimit tënd studentor, por e kemi fjalën të të ofrojmë urtësinë tonë, të mbledhur kryesisht nga përvoja dhe besimi ynë, që të ruash veten nga “shenja” e “vraga” që mund të të kthehen në pengesa për ta jetuar jetën ashtu siç duhet. Ne i njohim ca ish-studentë, që në shpërthimin e tyre 18-vjeçar “pa rregulla e kufinj”, përfunduan të përdorur nga
“dashnorë të përvuajtur”, të cilët e duan trupin tënd por s’janë gati të të japin asgjë nga vetja. Kemi vënë re edhe “miqësi” fallco që duan të të zhvasin. Kemi vënë re edhe heqje dorë nga mësimet që krijojnë pasoja për të ardhmen tënde. Edhe korrupsion. Mashtrim. Nëse do të na e lejosh një fjalë urtësie dhe një dorë përkujdesje, “që të të mbajmë” për të mos rënë në të njëjtin batak, jemi gati për ta ofruar atë që kemi.
Gjithashtu, ne duam “të të mbajmë” duke kënduar bashkë me ty në gëzimin e një faze të re jete. Ne duam të festojmë origjinalitetin tuaj; të të shikojmë siç je, pa zbukurime të tepërta e me thjeshtësinë që ju është dhuruar vetëm juve, askujt tjetër njësoj. Ne dimë ta vlerësojmë origjinalitetin tuaj sepse jemi vetë origjinalë. Askush tjetër nuk është si ne!
Ne duam të ofrojmë një rrugë më të mirë. Rruga jonë, si në të gjitha rrugët e tjera, zbulohet hap pas hapi. Vini re “sinjalistikën” e rrugës sonë: miqësia (Facebook apo Soulbook), përgatitja akademike (“Ku është koha ime?” dhe “Një alien në mjedisin studentor”), një këndvështrim “ngacmues” për seksin (Sex & the Student City), një tabelë tjetër që sinjalizon thirrjet e shpirtit përmes muzikës Bluz, sinjal që do të shndërrohet në muzikë në qendrat studentore në Tetor (Thirrja e Shpirtit Bluz), të qeshurat e humorit, kuriozitete rreth sportit e mundësi për t’u informuar më shumë për aktivitetin tonë vjetor.

Kështu, “do të të mbajmë” e do të na pasuroni ambientin tonë duke u bashkuar me ne.
Rrugë të mbarë, A. K. për Jetë Studentore

, , , , 2 Komente
Komente Rreth Këtij Artikulli
  1. Kur do te hidhen artikujt e tjere tek kjo faqe?

    Alban on October 17, 2010 Reply
  2. Dua te jem pjese e juaja,te mesoj nga eksperiencat tuaja,jam ne vit te pare

    JONIDAj on October 30, 2011 Reply

Shkruaj një koment