“On the floor”

Ose “Në vend të mirëseardhjes”

Videoja muzikore “On the floor” ka tronditur botën muzikore. Në vetëm shtatë muaj nga publikimi i saj (shkurt 2011), kënga e Xhenifer Lopezit dhe Pitbullit është parë në youtube nga më shumë se 400 milion përdorues të internetit. E krahasuar i bie që çdo banor i SHBA-së e ka parë të paktën një herë videon.
J. Lo thekson në fillim të këngës se po i këndohet “një brezi të ri festaxhinjsh” (It’s a new generation of party people”. Dhe pastaj ritmi modern i J.Lo, nën motivet e Lambada-s së famshme të viteve 80, fton “brezin e ri”

  • të kërcejë në “shesh të festës” (on the floor)
  • të vdesim “on the floor”,
  • të jetojmë “on the floor”,
  • të bëjmë festë “on the floor”…

“On the floor” është bërë me të vërtetë një lloj fushë-beteje e kulturës moderne. “On the floor” përkthehet: argëtim, festë, pub, disko, kërcim përpara pasqyrave, pije ekzotike në dorë, jetë nate, me një partnere ose partner në krah. Me një fjalë, argëtim.
Argëtimi gati-gati është kthyer në një qëllim jete. Qëllimi i jetës së të riut modern është “një natë e këndshme nga blloku” e për secilin qytet ka nga një “bllok” të rinjsh. Aty ka qejf, ngjyra rrëzëllitëse, pije, rini të veshur në modën e fundit, muzikë me zë të lartë – gjithçka që duhet për një kohë të këndshme.

Ne që jemi pjesë e lëvizjes “Jetë Studentore” i pëlqejmë party-t. Ne i pëlqejmë festat, por ndryshe nga të tjerët, ne ofrojmë një tjetër lloj party – një party që e kthen jo vetëm fushëbetejën e dancit, por edhe gjithë jetën tonë, në një aventurë kënaqësie. Madje shkojmë përtej kënaqësisë, në kuptim. Madje përtej kuptimit, në vlera. Madje përtej vlerave, në domethënie.
Asnjëherë “party” e jetës sonë nuk do të jetë aq argëtuese, nëse nuk shkon përtej kënaqësisë së çastit. Kënaqësia e çastit është si një lloj droge që na jep kënaqësi të përkohshme, por nuk na kënaq plotësisht. I kthehemi “çastit” me shpresën se do të zgjasë por nuk zgjat.

“Jetë Studentore” ofron një “party” të plotë – që i përfshin të gjitha përmasat e jetës: intelektuale, shpirtërore, akademike, dhe shoqërore. Ne ofrojmë aventurën e plotë të një jete me kuptim që nuk i lë mënjanë pyetjet themelore të jetës: Kush jam unë? Kush është Perëndia? Ç’lidhje kam unë me të?
Së shpejti do të keni ose keni në dorë një revistë nga Jetë Studentore, që informon një brez të ri për të cilin flet J. Lo. Por përtej asaj që thotë J. Lo, ne nuk ju ftojmë thjesht në vallen dehëse të party-t momental, por ju ftojmë në vallen e jetës, duke dashur që të mos ngelemi në cektësinë e muzikës së momentit, por përtej kësaj, të shkojmë drejt një jete me domethënie.
Ne flasim për ripërtëritjen e shpirtit tonë, për nevojën për të gjetur udhën në kryqëzimet e jetës, ide për organizimin e jetës akademike studentore, për jetën shoqërore studentore, për marrëdhëniet, dhe kuptohet nuk lëmë mënjanë humorin dhe argëtimin.
Na lexoni, na shkruani, na komentoni, na njihni dhe ftojini të tjerët në një tjetër lloj “party” – në “party-n” e një jete me plot kuptim që kënaq më shumë sesa çdo lloj kërcimi “on the floor”.
Gjithsesi, ju urojmë një vit të mbarë të gjithë studentëve, sidomos atyre që e kanë kaluar atë prag sot për herë të parë,

Stafi i “JETË STUDENTORE”

Etiketa: , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komento ketu