Nëse Zoti të do ty, ku është problemi?

Për shumë nga ju që nuk e dini, 1 Dhjetori ishte Dita Botërore e SIDA-s, e cila ka për qëllim rritjen e vetëdijes për luftimin e kësaj sëmundje. Kanё kaluar tre dekada qëkurse virusi HIV u shfaq si një kërcënim për shëndetin botëror. Ndonëse programi i Kombeve të Bashkuara për SIDA-n njofton një rënie të përqindjes së infeksionit të ri, numri i njerëzve që jetojnë me këtë virus është shtuar me më shumë se 33 milionë.

Në Shqipëri ka rreth 400 të infektuar, 21 prej tyre fëmijë. Por, specialistët vënë në dukje se numri i personave të infektuar po rritet vit pas viti. Sepse vetëm për këtë vit janë raportuar 55 raste të reja me HIV, ndërkohë që vitet e mëparshme numri ka qenë më i ulët. Gjithsesi mendohet se ka një numër shumë të madh të rasteve të padiagnostikuara. Nga 21 fëmijё të prekur 2 humbën jetën këtë vit.

Shumë njerëz dhe organizata në botë përpiqen të sensibilizojnë njerëzit për rrezikun që kanoset nga ky virus. Këtë javë kam menduar shumë se si reagojmë ne si komunitet i krishterё kundrejt këtij fenomeni.

I vetmi që më shkoi ndër mend, që mund ta identifikoj me këtë kauzё ёshtё këngëtari i njohur i Rokut Bono. Në një prej këngëve të tij të fundit të lançuara së bashku me Beyonce, “American Prayer” ai këndon.

“Mirë, ndoshta ju keni të drejtë.
Është qesharake se si njerëzit fetarë janë nganjëherë më gjykuesit
Dhe gjithsesi, kjo është një këngë që e kemi quajtur “Lutja Amerikane”
Kjo mund të jetë çdo gjë, Lutja Irlandeze, mund të jetë Lutja Afrikane,
Është vetëm një mesazh për kishat, që ne kemi vërtet nevojë për ju
Për të hapur derën tuaj dhe të dhuroni dashuri dhe t’i jepni fundit stigmatizimit
Që vjen nga të qёnit HIV pozitiv
Nëse Zoti të do ty, ku është problemi?”

Fjalët e Bonos më prekën në zemër. A është e vërtetё që ne jemi gjykues? Unë po mendoja shumё për kishën time, apo vëllezërit dhe motrat e mia në Krishtin këtu në Shqipëri. Cili është reagimi ynë ndaj plagëve të tilla të shoqërisë. Ajo që kuptova, ndoshta këtu mes shoqërisë sime, ёshtё qё nuk kam parë njerëz që mund të shfaqin kaq hapur paragjykimin për këto grupe, por dhe heshtja dhe mosreagimi tregon shumë.

Shumë pak nga ne mbajnё një qëndrim kundrejt padrejtësive, dhe jo vetëm epidemive të tilla, por kundër çdo padrejtësie, si racizmi i njerëzve me ngjyrë, dhunimi i motrave dhe nënave, apo padrejtësia që po bëjmë me brezin e ri në mirë-edukimin e tyre. Unë nuk kam parë njerëz të lëvizin. Unë kam parë ata që flasin si të shenjtë, por nuk veprojnë kur vëllai i tyre është në rrezik. Të krishterё të cilët preferojnë të shikojnë brenda mureve të shtëpive por nuk e reflektojnë dritën e Krishtit.

Bono këndon:

“Kjo është koha për të përfunduar atë që ju keni filluar.
Kjo nuk është koha për të ëndërruar.
Ky është një vend, ku ti mund të ndalosh errësirën sot.
Ndoshta atëherë ne mund të shohim.
Kjo është lutja ime amerikane
Kjo është toka.
Toka që mban këmbët tuaja.
Dhe ky është qielli mbi kokat tona.
Mos harroni se ajo që ju shihni varet nga ku qëndroni.
Dhe vendi ku hidhni këmbën do t’ju tregojё ku jeni duke shkuar.
Kjo është lutja ime amerikane.”

Rritmi i kësaj kënge më bëri të mendoj që kjo lutje nuk është vetëm lutja Amerikane, por kjo është edhe lutja Shqiptare.

Ti mund ta ndryshosh këtë botë, ti mund ta ndriçosh atё, me duart e tua ti mund të sjellësh dritë dhe të ndërtosh kishën në mes të tё lodhurve, të dobtëve dhe të rënuarve; sepse ata duan të marrin frymë të lirë.

Ky muaj është drita e shpresës. Dakord, Zoti të do ty dhe ti nuk bëre asgjë pёr ta merituar këtë, ishe njëlloj si ai me HIV, si fëmija i braktisur apo i diskriminuar. Ti mund të ndriçosh errësirën e tyre.

Merr dy minuta kohë, mendo për një të braktisur, të rrënuar dhe të vetmuar. Sot është dita të përfundosh atë që kemi filluar. Ti ndoshta nuk mund ta ndryshosh gjithë botën, por do të ndryshosh botën e tij. Ndoshta ti je pika e ujit në oqean, por pa atë pikë oqeani nuk mund të ekzistojё.

Nëse Zoti të do ty, Ai mund të dojë dhe shpëtokëdo.

Etiketa: , , , ,

Kategoria: ÇËSHTJE JETE

Komento ketu