Më duhet të blej një varr…

U çudita shumë dhe sytë m’u shqyen nga habia  kur e dëgjova për herë të parë. Duhet të paguash edhe për varrin! Sikur të ishte fjala për të blerë një strehë të ngrohtë, të mbushur me dritë do t’ia vlenin paratë… Por një varr? Një varr të zi, 9 pëllëmbë vend ku s’ngre dot as dorën?
Në fund të fundit, edhe pse është thjesht një varr i zi, po nuk e bleve mbetesh i pa varrosur…
Rexha, ishte gjyshi i një familje të varfër. Në familjen e tij të madhe me tetë persona, e ardhura e vetme që kishin ishte pensioni i gjyshit. Shpesh numëronin ditët deri sa të merrnin pensionin e gjyshit, për të ngrënë një copë bukë. Pensioni i tij nuk bënte mrekullira, por familjen e ushqente. Kur vitet po shtyheshin, kur thinjat kishin filluar me të shpejtë ta sundonin kokën e tij, Rexha kish filluar të kishte frikë. Natën e linte gjumi duke menduar për varrimin e tij. A do të kishte edhe ai një vend për t’u varrosur si gjithë të tjerët? Rexha shikonte gjithë qytetin kur thoshte: “Nuk  u gjend as një vend për Rexhën ku të varrosej…” Në një nga netët gjyshi vendosi: “Do të filloj të ndaj nga pak para mënjanë çdo muaj nga pensioni im. Në fund të fundit nuk mund t`ua le fëmijëve këtë barrë, të blejnë varrin tim. Duhet ta blej vetë sa jam gjallë!” Çdo muaj Rexha ishte gati të mos blinte as këpucë të reja, as xhaketë, as cigare! Veç të kishte paratë për varrin.
Fëmijët filluan ta ngacmonin. “Hë, ke filluar të kursesh… nuk po na e jep gjithë pensionin!” Ai vetëm buzëqeshte dhe nuk thoshte asnjë fjalë. Askujt nuk i kishte treguar pse po kursente.
Kur hapej biseda për blerjen e një tokës për varrin e gjyshit, të gjithë e shmangnin bisedën sepse nuk kishin para për ta blerë atë të ashtuquajturin “vend i prehjes”.
Rexha nuk ishte turpëruar kurrë përpara të tjerëve, megjithëse të varfër. Nderi dhe respekti për të ishin të çmuara. “Dhashtë Zoti e nuk turpërohem tani në fund të jetës – mendonte. – Nuk dua t’ju bëhem barrë fëmijëve të mi”
Pas disa vitesh, Rexha ndihej më mirë. Shumicën e parave i kishte mbledhur. I duhej edhe një muaj për të plotësuar shumën. Sapo erdhi data e marrjes së pensionit, nxitoi për te zyra. Rradha nuk ju duk e gjatë, as shtyrjet nuk i bënë përshtypje. Me një frymë vajti drejt e tek rojtari i varrezave. Bëri pagesën. Më në fund pa me sytë e tij vendin ku do të varrosej. Ai vend, nën ndriçimin e diellit, i dukej aq i qetë. Kishte shumë pak varre të tjera afër dhe pemët me kupolat e tyre jeshile  i jepnin vendit një hijeshi të jashtëzakontë. Tani vdekja të vinte kur të donte. Rexha ishte i lirë nga çdo shqetësim. E ndiente veten të lehtë. Kishte hequr një barrë të madhe nga familja e tij. “E bleva edhe varrin”, tha ndër zë. Thellë- thellë, kjo ishte dhurata më e shtrenjtë  që i kishte bërë ndonjëherë vetes, varrin!
Ditët në vazhdim ishin pa shumë shqetësime. Në një nga këto ditë, ndërsa po kalonte pazarit pa një palë këpucë të mira. “Kam vite pa blerë një palë  këpucë të reja për vete”. Gjithmonë kishte veshur këpucët e vjetra që i jepte djali  i tij i madh. Këto këpucë, i bleu. Ditën tjetër i veshi. Doli prapë në pazar. Atje mund të takonte miqtë e tij të vjetër e mund të llafosnin siç dinin veç ato, nën diell duke lozur domino.
Kur u kthye në shtëpi, hëngri bukën dhe fasulen që i vuri para plaka, siç e quante ai me përkëdheli, dhe u shtri pa bërë zë. Këpucët e reja i vuri tek këmbët e krevatit. Çdo gjë ishte në vendin e përsosur. Nesër, do të ngrihej, do të vihej, do të mbathte këpucët, do të merrte bastunin dhe të dilte në pazar me shokët e tij. Në mëngjes plaka e tij u ngrit ngadalë, i skuqi një vezë, i ngrohu fasulet që kishin tepruar nga darka dhe u bë gati ta thërriste.
Rexha dukej sikur po flinte gjumin e tij më të qetë që mund të kishte bërë ndonjëherë… Ndërsa plaka i thirri dy-tri herë por Rexha nuk ju përgjigj. Mori frymë thellë. Nuk qau. Ajo e dinte  që ishte më mirë që vdiq. Fundja për gjithë ato vite jetë nuk kishte jetuar ashtu si duhej. Rexha më shumë kishte luftuar sesa kishte jetuar. Tani fillonte një luftë tjetër për ata që ishin gjallë. Ku ti gjenin paratë e varrit për Rexhën?  Kujt t’i binin në qafë për borxhe? Por nuk kishte rrugë tjetër: babai duhej varrosur.
Djali i madh kishte një ide. Po sikur të shkonte tek roja i varrezës, e t’i kërkonte të paguante varrin muaj pas muaji? Me kokën ulur, takoi rojën e varrezave. Gjithë siklet e krejt i skuqur e pyeti: “A mund të marrim një varr  nëse i paguajmë vetëm një pjesë të shumës, dhe pastaj shumën tjetër muaj pas muaji nga pak? Roja qeshi. – Ti je djali i Rexhës? Po, tha ai. Rexha i ka paguar tashmë lekët e varrit të tij. Tashmë u bënë muaj. Dhe i pëlqeu shumë vendi që ka marrë! Eja të ta tregoj vendin. Djali i madh pasi e pa vendin dhe përshëndeti rojën u nis drejt shtëpisë në lot. Deri tani ai nuk kishte derdhur asnjë lot për të atin. Nuk kishte pasur kohë. Babai i kishte paraprirë edhe problemit të fundit, blerjes së varrit.
Rexha e bleu vetë varrin e tij dhe pushoi në paqe. Derisa pati ditë jete, mendoi se ku të varrosej, cili ishte vendi e sa do t’i kushtonte. Ishte burrë i mencur Rexha!
Unë sot jam e re por do të më duhet shumë shpejt të filloj të mendoj se ku do t`i blej 9 pëllëmbët e mia, ç`vend do të jetë? A do t`i bjerë dielli dhe a do të ketë rreth e përqark mjaft lule? Sot? Jo vetëm thjeshtë një vend për trupin  por një vend dhe për shpirtin, që në fund të mos ngelem e turpëruar. Nëse këtë vend për trupin duhet ta blej vetë duhet te kujdesem më së shumti dhe për një vend tjetër: vendin e shpirtit. Duhet të sigurohem që vendi është i sigurtë, është vendi më i mire që është paguar.
Një vend është paguar para shumë kohësh nga dikush për mua. Është paguar që përpara shumë kohësh që unë të mund të jetoj çdo ditë e lirë nga pasiguria dhe frika. Përjetësia është akoma më e shtrenjtë. Nuk blihet me para. Dikush ka paguar me gjak për përjetësinë time. Jezusi ka paguar për parajsën time. Ai e ka blerë përjetësinë time me gjak… me gjakun e Tij. Ishte burrë i mençur Rexha. Nëntë pëllëmbë tokë për varrin të blerë me para. Një përjetësi të tërë, të blerë përmes besimit në Jezusin.
Rexha ishte burrë i mençur. Tani është radha ime…

Shkroi për Jete Studentore, Mira Mjeshtri

Etiketa: ,

Kategoria: ÇËSHTJE JETE

Komente (1)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. imakiato says:

    rexha ishte burre i mencur duhet me degjue edhe gjyshin nganjehere

Komento ketu