Letër Zhulietës

Kapucinoja dhe brioshi i ngrohtë Italian, harta përpara në barin e hotelit  dhe zëri i ëmbël i gjyshes së hotelit që më thotë “Buon giorno, Principessa!”

Kush nuk mund ta dojë Italinë, çdo njëri këtu ndihet si në shtëpi. Për mua ishte vetëm dita e tretë, dhe Verona ishte vendi që duhej të vizitoja. Verona e  “Romeo dhe Zhulietës”. Shumë kohë më parë, këta dy të rinj jetonin në Verona. Ata ranë në dashuri dhe besoj që ne të gjithë e dimë fundin tragjik të dashurisë së tyre. Historia e tyre qëndron si një simbol histori i dashurisë së fuqishme dhe ndoshta kjo është arsyeja pse shumë turistë si puna ime shkojnë për të vizituar ballkonin e shtëpisë së saj.

Me hartën në dorë përpiqem të gjej ballkonin e famshëm duke kaluar nëpër rrugicat dhe rrugët karakteristike të Veronës. Shoh djem që të buzëqeshnin dhe vajza me shajet e bukur që ndalojnë në vitrinat e dyqaneve për të parë nëse buzekuqi i tyre ka lëvizur nga vendi.

Përpiqem të orientohem në rrugë duke pyetur këta kalimtarë dhe ja rrugica që më çon për tek ata. Është e çuditshme pse duhet të përjetoja kaq emocion, por si mund t’i shpëtoja aromës së dashurisë që Verona lëshon në rrugicat e saja.

Ja përpara tunelit të famshëm ku kalonin çdo ditë Romeo dhe Zhulieta, më bëjnë përshtypje se si në gjithë muret e atij tuneli janë shkruar emrat e njerzëve, të cilët dëshirojnë të dëshmojnë që e kanë gjetur dashurinë dhe luten që do të zgjasë, apo të kujtojnë dashurinë e humbur. Të kesh emrin aty nuk është shumë e rëndësishme, por më e rëndësishme është se e gjithë kjo provon se sa shumë dashuri ekziston në këtë botë, kudo rreth e rrotull nesh, gati për ta zbuluar në një vend që ndoshta nuk mund të jetë aq i pëlqyeshëm.

Mendoni, se si mund të jem ndjer unë, që akoma s’e kam gjetur atë emër që këta njerëz shkruajnë në këto mure, por përsëri kureshtja të hyja në këtë shtëpi të famshme dhe emocionet që përjetoja më bënë të ecja përpara. Kthehem djathtas dhe hyj në shtëpinë e saj, një ambient krejt i zbrazur, por me piktura dhe elemente që tregojnë historinë e tyre. Ngjitja e shkallëve drejt ballkonit të famshëm ishte një emocion me vete, të dukej sikur çdo shkallë të ndante nga ëndrra e madhe që ti pret të realizohet. Emocionohesh se mos përballë në anën tjetër të ballkonit ti do të bësh të njëjtën deklaratë si ajo: O Romeo, Romeo, Wherefore art thou Romeo?

Në këtë ballkon, nuk mund të shpëtosh pa u ndalur duke marrë frymë thellë e duke u përpjekur të zbrazësh mendjen tënde nga çdo mendim tjetër dhe të përqëndrohesh te të vetmet fjalë dashuri dhe sakrificë.

Kthehem duke ngjitur shkallët dhe gjendem përballë një dhome të vogël ku t’i mund ti shkruash një letër Zhulietës. Shumë njerëz besojnë që ajo do ti lexoj letrat e tyre dhe do ta bëjë dashurinë e tyre të vërtetë. U ndala përballë tavolinës së lartë, duke menduar se çfarë mund t’i shkruaja, asaj…. ,por dukej sikur dora lëvizte shumë lirshëm dhe fleta e bardhë po mbushej me shkronjat e zeza që liheshin shenjë mbi të.

E dashur Zhulietë,

Sot kam ardhur të kuptoj dhe përjetoj nga afër gjithë historinë tënde të dashurisë dhe sakrificës. Ti u sakrifikove për një person, personalisht njoh një mik të mirë i cili ka bërë këtë gjë për mua përpara se unë ta njihja. Ai dëshironte që unë të isha e lirë nga vetja dhe e mbuluar plot dashuri. A mund ta besosh? Dëshira ime, e dashur Zhulietë, është që të mund tua tregosh këtë gjë dhe të tjerëve.

Me dashuri

E.C

Pasi dola nga shtëpia e Zhulietës, vendos që emri im të jetë i shkruar në ato mure.  Si mund mos e shkruaja unë emrin tim, unë që jam dashur para se të lindja dhe jo vetëm dashur, por gjithashtu kjo dashuri ishte sakrifikuar për mua.

Vizita ime duhet të ndiqte vazhdimin e historisë, kështu që, pasi thashë lamtumirë shtëpisë së saj,  duhet të vizitoja varrin e saj.

Ja ku ndodhem e ulur aty në stol nën rrezet e ngrohta, duke menduar për historinë më tragjike të dashurisë; një vajzë e cila mendonte të luante me vdekjen për të fituar dashurinë. Nëse do të vdiste dhe do çohej nga ai gjumë, do të gjente dashurinë, por në të vërtetë vdekja e mundi dhe i mori atë që donte më shumë.

Kur mendoj për atë që më donte mua se si u sakrifikua dhe fitoi mbi vdekjen, sikur ti Zhulietë e dashur ta kishe ditur, sa shume dashuri do të përjetoje, sa shumë jetë dhe falje do të kishe parë në jetën tënde.

Sot këtu përpara varrit tënd, i jam shumë mirënjohëse  Zotit, i cili me vdekjen e tij në kryq për mua i dha kuptim më të madh dashurisë. Ndryshimi i sakrificës tënde me të tijën, është që ai e mundi vdekjen dhe, për shkak të tij, sot, shumë njerëz që besojnë në të, jetojnë.

Këtu po shkruaj për të gjithë ju që kërkoni dashurinë: Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.

Pas këtij turi largohem nga Verona me plotë aromë dashurie dhe lirie që Zhulieta e dashur më rizgjoi në mendjen dhe zemrën time.

Në derën e hotelit, ja ku më del gjyshja e cila më përshëndet ëmbël dhe më pyet: Principessa, a gjete dashurinë në Verona? Unë kësaj radhe i përgjigjem, zbulova që e kam gjithmonë me vete:)

Shkroi për www.jetestudentore.com, Entela Çaushi.

Etiketa: ,

Kategoria: coffeeTIME

Komente (2)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. Anisa says:

    Tela, shkruajtur shume bukur dhe plot emocion! me te vertete kuptimplote!

  2. Tola says:

    Tela shume artikull i bukur….si me paska shpetuar :))

Komento ketu