Kjo jetë s’mjaftoi…

Kjo jetë s’mjafton…

Arti POP në kulturën shqiptare është i mbushur me thirrje gati-gati dëshpëruese rreth një realiteti tjetër më të mirë – që dukshëm nuk ekziston. Vini re disa prej këngëve më të pëlqyera në TOP FEST 8: Elvana Gjata “Me ty”, Anxhelina Hadergjonaj “Kjo jetë s’mjaftoi”… e plot shembuj të tjerë!

Përveç këngëve, gjurmët e kësaj “thirrje” të dukshme janë kudo. Në Facebook, me siguri do të gjesh një poezi për mallin, një këngë për harresën, një deklaratë për realitetin e dhimbshëm, ndonjë deklaratë politikani që shpreson për më mirë, ndonjë kundër-deklaratë që kritikon të parin edhe prapë shpreson për më mirë, e ndonjë përçartje e sinqertë e dikujt që do më mirë por s’e ka idenë se çfarë do…

Kuturu-ja e kësaj pamje nuk qëndron në faktin që ofrojmë dhimbje e thirrje në kulturën tonë. Kuturu-ja është mungesa e një rreze shprese a ndonjëfarë tuneli me rreze drite. (Meqe jemi tek tuneli, një thënie me botë në Facebook, thoshte që në fund të tunelit ka një dritë – veçse nuk e dimë nëse kjo drita është drita e diellit në fund të tunelit, apo është drita e trenit që po vjen drejt nesh!).

Hapi i parë për ta zgjidhur këtë “kuturu” është pranimi i realitetit. I pranimit të dhimbjes së realitetit. Kjo jetë nuk është ashtu siç duhet. Nuk do mend shumë për ta kuptuar. Lehtësia me të cilën i këndojmë dhimbjes është një nga provat e pakundërshtueshme, që na shpalos hapur këtë “parregullsi” në botën ku jetojmë. Duket se edhe filozofët tashmë kanë rënë darkod me pikën e parë: realiteti nuk është ashtu siç duhet të ishte.

Hapi i dytë do të ishte një rreze drite për shpresën. Mendoj që “kënga për dhimbjen” nuk shëron nëse asnjë lloj zgjidhje nuk është realisht një zgjidhje. “Koha s’kthehet më, të të rikthej” nuk është një zgjidhje. “Të jetoj jetën që le këtu” është një nga alternativat më të pëlqyra në kulturën tonë POP por ne e dimë që as kjo nuk e heq dhimbjen.

“Të vijmë në botën tjetër” duket e frikshme, nëse nuk e dimë realisht se si është bota tjetër. Por nëse e dimë, ndoshta nga këtu fillon zgjidhja?

Si ta dimë se si është bota tjetër e si të shkojmë atje të sigurt? Le ta fillojmë nga hapi i parë, e pastaj në postime të tjera të flasim për zgjidhjen…

 

 

Etiketa: , ,

Kategoria: ÇËSHTJE JETE

Komento ketu