“Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë, do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë.” Psalmi 92:13-14 (LIM)
Në moshën 20 vjeçare, Xhejms Frejzër kishte një të ardhme premtuese. Shpejt ai do të diplomohej me rezultate të shkëlqyera në inxhinieri, një fushë që në fillim të shekullit të 20-të kishte perspektivë të madhe në gjithë botën. Me këtë dhe me talentin e tij të rrallë si pianist (ai mund të luante përmendësh pjesë të tëra pa gabime) e ardhmja e tij dukej e qartë. Megjithatë fjalët e një librushke të vogël që i dha një shoku i tij student ia ndryshuan krejt planet.
“Është dhënë një urdhër: ‘Shkoni në gjithë botën dhe predikojani ungjillin çdo krijese.’ Urdhri nuk është zbatuar. Më shumë se gjysma e botës nuk e ka dëgjuar ende ungjillin. Çfarë të themi për këtë? Patjetër që është puna jonë si të krishterë. Ne jemi përgjegjës...”
“Po të vinte sot Zoti ynë dhe të gjente miliona njerëz të pa ungjillizuar dhe të kthehej nga ne për të kërkuar shpjegim, unë nuk e di çfarë shpjegimi do t’i jepnim...Për një gjë jam i sigurt se për shumicën e justifikimeve që jemi mësuar të nxjerrim me ndërgjegjie të qetë tani, atëherë do të na vinte turp.”
Dorëzimi i plotë
Kur Frejzëri lexoi këto fjalë sfiduese pa se ato pasqyronin qëndrimin e tij, të pavetëdijshëm, por të dukshëm në mënyrën si po jetonte dhe planifikonte jetën. Ajo që pasoi nuk ishte aq shumë një thirrje për të shkuar në Kinë sesa një dorëzim i plotë e me gjithë zemër dhe një përkushtim për të qenë një dishepull i vërtetë i Zotit Jezus Krisht. Besnikëria e tij nuk do të ndahej më dysh më. Ai do t’ia jepte jetën e tij plotësisht Atij që dha gjithçka për të.
Pas diplomimit Frejzëri nuk humbi kohë, por aplikoi tek Misioni i Brendësisë së Kinës themeluar nga Hadson Tejlori, për trainim për shërbim misionar. Në 1908 u nis për në Kinë.
Lisutë
Frejzëri u caktua për të punuar në provincën Junan, një zonë fshatare e lënë pas dore në pjesën jugperëndimore të Kinës. Aty ai ishte si në shtëpinë e tij sepse i pëlqente shumë natyra dhe ngjitjet në mal. Ndërsa punonte për të mësuar gjuhën dhe kulturën kineze, ai vuri re grupe të ndryshme fisnore në treg e midis tyre edhe Lisu. Ata nuk flisnin gjuhën kineze, kishin veshje tradicionale dhe nuk kishin dëgjuar kurrë për Zotin Jezus Krisht. Frejzërin e tërhoqën shumë këta njerëz.
Në vitet që pasuan ai ndeshi në shumë vështirësi, fizike dhe shpirtërore. Ai themeloi një kishë të vogël në qytetin e Baoshanit dhe pastaj, duke udhëtuar me kalë në një terren të thyer malor, ai e çoi ungjillin tek Lisutë dhe fise të tjera në fshatrat e shpërndarë në luginën Salluin. Në kushte të këqia jetese dhe shpesh me ushqim të pakët, ai vuajti nga vetmia, depresioni, pasiviteti dhe dekurajimi kur më në fund një familje Lisu u kthye tek Zoti vetëm për t’u kthyer përsëri në adhurimin e të parëve.
Për vite të tëra Frejzër ishte lutur për hapjen e Lisuve, sidomos kur kuptoi nevojën e tyre për t’u çliruar nga adhurimi i demonëve. Gjatë një periudhe shtypjeje të madhe shpirtërore atij i ra në dorë një kopje e revistës The Overcomer (Fitimtari). Duke e lexuar Frejzër kujtoi sërish se Satani është një armik i mposhtur. Satani ishte përpjekur ta shkatërronte atë si misionar kur ai kishte guxuar të shkelte në territorin që armiku e kishte patur në kontroll për epoka të tëra. Por përmes vdekjes dhe ringjalljes së Jezu Krishtit fitorja ishte e siguruar.
E lexova [revistën] përsëri e përsëri ...Ajo që më tregoi ishte se çlirimi nga pushteti i të ligut vjen nga kundërshtimi i prerë në bazë të kryqit. …. Ne kemi nevojë për të vërteta të ndryshme në kohë të ndryshme. ‘Shiko tek Zoti,’ thonë disa. ‘Kundërshtojeni djallin’ është edhe kjo në Bibël (Jakobi 4:7). Dhe për mua funksionoi. Ajo re depresioni u shpërnda. ...Zoti e kundërshtoi djallin me zë: ‘Shporru prej meje Satan!’ Unë, me varësi të përulur tek Ai bëra të njëjtën gjë. I fola Satanit në atë kohë duke përdorur premtimet e Shkrimit si armë... Menjëherë ajo shtypje e tmerrshme filloi të largohej."
Lutja e të tjerëve për të dhe për punën e tij midis Lisuve ishte një faktor kyç për të parë hapje midis Lisuve. Me iniciativën e nënës së Frejzërit në Angli filloi një grup lutësish. Frejzëri u shkroi atyre,
“Nuk po ju kërkoj ndihmë në lutje si diçka anësore, por po përpiqem ta hedh përgjegjësinë kryesore të kësaj lufte në lutje tek ju. Dua ta merrni barrën e këtyre njerëzve mbi shpatullat tuaja. Dua të luftoni me Zotin për ta.”
Gjashtë vjet pas arritjes së tij në Kinë, hapja ndodhi. Brenda katër muajve 600 Lisu nga 129 familje u kthyen nga Satani tek Jezusi! Kjo filloi një lëvizje kishëmbjellëse nga vendas që solli dhjetëra fshatra të tjerë Lisu tek Krishti.
Kthimi në besim i Lisuve është një nga pjesët më të bukura të historisë së misioneve. Sot ka rreth 300,000 Lisu të krishterë në Kinë (që do të thotë rreth 50% e Lisuve të Kinës), dhe të tjerë në Mianmar dhe Tailandë. Para vdekjes së tij të parakohshme në vitin 1938 Frejzër hartoi një alfabet për gjuhën Lisu (i njohur nga qeveria kineze në 1992-shin) dhe kontribuoi shumë në përkthimin e Dhiatës së Re në këtë gjuhë.
Për disa vjet Frejzër ishte mbikqyrës i gjithë punës së MBK (CIM) në provincën Junan. Pikëpamjet e tij misionare ishin revolucionare. Për shembull ai që nga fillimi nuk donte që Lisutë të prisnin apo të bëheshin të varur nga mbështetja financiare nga jashtë. Kisha Lisu ishte që nga fillimi dhe ende është e vetëmbështetur financiarisht (gjë që e ndihmoi atë të mbijetonte në vitet kur misionarët u dëbuan nga Kina). Ai gjithashtu besonte se gratë e misionarëve duhej të ishin partnere të barabarta në punën e misionit.
Vitet e fundit të jetës së tij ai u preokupua shumë në lutje për të parë rizgjim midis Lisuve.
Xhejms Frejzër është shembulli i një jete të dorëzuar Zotit, që dha fryte të përjetshme. Duke e parë jetën e tij, a mund të kemi frikë t’ia dorëzojmë jetën tonë të njëjtit Zot?
(Materiali kryesor nga Stjuart Simpson)
Përgatiti B.Qiriazi
-
|213.207.42.xxx |2010-03-08 16:09:53 Fansi - Une dua t'i ngjajEdhe pse emrine kam Fansi, une dua te jem njelloj si ky burre i mencur por edhe pasionant e i perulur njekohesisht. Une therres te gjithe studentet te japin mendimin e tyre per kete. E deshirojme dot ne kete qe deshiroi Freizeri? PO per ta bere e bejme dot, apo kjo sfide ishte vetem per burrat e asaj kohe. A jemi kaq naive?! Apo jemi kaq te dobet e besimpake?! Po pres o studente komentet tuaja!
Facebook
Google
Myspace
Yahoo
del.icio.us
Windows Live
Blogger


