Emri - Brunilda
Mbiemri - Rustani
Vendlindja - Kavajë.
Çfarë studion dhe ku? - Anglisht/Tiranë.
Kur e ke pranuar Krishtin? Në vitin 2000.
Çfarë po lexon momentalisht nga Bibla?- Po lexoj Psalmet dhe njëkohësisht edhe po studioj vetë Zbulesën.
Cili është vargu yt i preferuar në Bibël? - Kam disa, por edhe asnjë më në veçanti. Ndoshta Veprat e Apostujve 4:12 ``Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.``
Cili është motoja juaj? - Përsëri nuk kam një specifike, por diçka që ia përsëris shpesh vetes është që mos u habit nga vetja apo të tjerët, por ji gjithmonë gati të presësh më të mirën dhe më të keqen. E rënsësishme është që gjithmonë të kesh një mendje dhe zemër të hapur, të jesh i gatshëm të pranosh, të falësh dhe të ecësh përpara.Cilat janë dy cilësi pozitive të karakterit tënd? - Ndoshta ndjenja e drejtësisë dhe të qenurit e drejtepërdrejtë me njerëzit.
Cila është dhurata më e mirë që ke marrë ndonjëherë? - Një CD-player dhe një dhuratë për koncertin Pavarotti and Friends në 2003.
Çfarë vlerëson më shumë në karakter tek shoku/ shoqja juaj? - Hirin, përkushtimin në miqësi, dhe të qenurit e drejtëpërdrejtë në mënyrë të hirshme.
Cila është ëndrra juaj në sirtar? - Sinqerisht, nuk kam asnjë, sepse eci me idenë që jeta duhet marrë si të vijë, me ndryshimet dhe surprizat që sjell, madje edhe për sa i përket synimeve të mia. Ndoshta dicka që do të kasha shumë dëshirë të bëja do të ishte të merrja pjesë në një koncert të Guns N` Roses. :)
Thuaj tri gjëra që ke dëshirë të bësh në kohën e lirë - Të dëgjoj muzikë, të dal për kafe me miqtë, të fle.
Cili është filmi juaj i preferuar? - Kam disa, por më të dashurit për mua janë "Pride and Prejudice", "Schindler`s list", "Gone with the wind".
Cili është shkrimtari juaj i preferuar? - Pa dyshim Oscar Wilde. Kënaqem sa herë lexoj ndonjë vepër të tij.Trego një nga historitë e tua gallatë të fëmijërisë - Kur ishim diku nga klasa e pestë ose e gjashtë, në klasë na qëlloi një nga djemtë më problematikë të shkollës. Për shkak të zhurmës që ai bënte (dhe për shkak se unë nuk i hapja rrugë si të tjerët), mësuesi më nxori mua nga klasa për herë të parë dhe të vetme gjatë viteve të mia të shkollës. Një ditë tjetër gjatë kohës së pushimit, ishim në oborr, dhe nuk e di se pse mërziti prapë ky djali dhe unë e kapa dhe e kam rrahur keqas, për qejf, derisa më në fund më bërtiti një mësuese nga dritarja e shkollës dhe unë u detyrova ta lija. Që atëherë nuk më ka rënë më në qafë. Nuk e di nëse ai e mban mend ende apo jo, por kam përshtypjen që kur një vajzë rreh djalin ``më të fortë`` të shkollës, ai do ta mbante mend gjatë. :)
Përshkruaj si do të dukej dita juaj ideale - Dita ime ideale nis vonë, pasi më pëlqen shumë gjumi i mëngjesit! Pasi ha mëngjes mirë, më pëlqen të jaloj kohën e qetë me Zotin, nëse mund të jem vetëm në dhomë, përndryshe në darkë. Pastaj, përveç kohës në shkollë, një nga pjesët e mia të preferuara të ditës është të dal për kafe me miqtë e mi. Dita ime mbyllet vonë në darkë, pasi jam person që kam më shumë energji në darkë për të punuar dhe studiuar.
Një kuriozitet për veten tënde - Nëse për ne këtu në Shqipëri është e vështirë të shijojmë një koncert live të ndonjë grupi të madh rock, unë kam patur privilegjin që brenda një mbrëmjeje të vetme të dëgjoj live legjenda të rock-ut si Deep Purple, Queen, Eric Clapton, Bono i U2, Zucchero për ta mbyllur më së miri me Pavarotin. Përvojë e papërsëritshme!
Mbylle këtë intervistë duke u thënë lexuesve atë që do ti - Nuk kam ndonjë gjë të madhë për t`u thënë, përveçse një këshillë le të themi: Ecni në bindje ndaj Zotit me gjithë forcat tuaja, dhe gjithmonë prisni dhe kënaquni me kohën e Tij për çdo gjë. Ai është sovran mbi çdo gjë, i gjithëditur dhe mirëdashës ndaj nesh. Nëse këto gjëra janë të vërteta jo vetëm për mendjen, por edhe për zemrën tuaj, gëzimi dhe paqja juaj në Zotin do të jetë e papërshkrueshme, edhe në mes të vështirësive më të mëdha. Ai punon gjithmonë dhe kurrë nuk është jashtë kohe!
Facebook
Google
Myspace
Yahoo
del.icio.us
Windows Live
Blogger


