Ikja si një hije…

Sonte, pas një udhëtimi të mundimshëm nga Vlora në Tiranë, u përballa jo edhe aq rrallë me shoferë “të nxituar”, që për pak do të më kishin përplasur pa menduar gjatë për pasojat… “Çfarë mund të vijë nga një përplasje me shpejtësi rreth 90 km/orë”, po mendoja?

30 minuta pasi përfundoi udhëtimi im skëterrë, dëgjova për një udhëtim tjetër, nga Elbasani për në Tiranë, të një grupi të rinjsh, – udhëtim që për fat të keq, nuk përfundoi ashtu si udhëtimi im! Dy persona u larguan nga bota jonë, e të tjerë janë të plagosur.

Njëra nga vajzat që u ndanë nga të dashurit dhe familjarët e saj, ishte dikur e përfshirë me Lëvizjen Jetë Studentore. Rreth 10 vjet më parë. Me siguri, kur jemi të përfshirë në mes të aktiviteteve, nuk mendojmë për kohëzgjatjen e jetës së atyre që vijnë në të njëjtat takime, kënaqen në të njëjtat lojra, dëgjojnë skeçet e qeshin me humorin… Edhe sa gjatë do të jenë vërdallë miqtë tanë?

Në netë si kjo, nën peshën e lajmeve të tilla që nuk janë të këndshme, me udhëtime të papërfunduara të të njohurve tanë, ndoshta nuk ia vlen të flasim më gjatë… Do të ketë kohë për të folur…

“Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime. Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë… Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë?” (Jobi 14:1-2, 14)

Etiketa:

Kategoria: ÇËSHTJE JETE

Komente (1)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. imakiato says:

    E vertete e theshte dhe domethenese…..tani po na ben me e shiku cdo aktivitet si te fundit

Komento ketu