Facebook apo Soulbook?

Facebook është trendi i ditëve të sotme. Një trend që vlerësohet miliarda dollarë. Si biznesmen, të duhet të gjesh kërkesën e konsumatorëve. Por një biznesmen i mirë, siç është me siguri ideatori i Facebook-ut, gjen atë që iu nevojitet vërtet klientëve. Kështu, Facebook-u, na ka nxjerrë edhe njëherë në pah një nga nevojat bazë të njeriut: nevoja për të njohur dhe për të qënë i njohur. Nganjëherë, duket se kjo nevojë po “zhduket” gjithnjë e më shumë, ndërsa ecim me makina, i përshëndesim fqinjët ftohtë ngaqë jemi me nxitim, e na duket sikur të tjerët po ndërhyjnë në jetën tonë më shumë se ç’duhet.

“Jetojmë të gjithë në një qytet, e rrallë shihemi, sa rrallë!” Nuk ka asgjë të re nën këtë diell. Facebook-u është një mënyrë moderne për të plotësuar nevojën e lashtë. Në modernitetin tonë, kemi turp ta pranojmë nevojën që kemi për njëri tjetrin.

Por fenomeni Facebook na e ka nxjerrë në shesh të vërtetën. Facebook-u është si ai guri që kanë korçarët në rrugicat e tyre para portës së avllisë, ku ulen për t’u parë dhe për të parë. Facebook-u është shëtitorja kah Kafja e Madhe e shkodranëve ku dalin me u pa dhe me pa. Facebook-u është ish-Blloku i Tiranës ku njerëzit dalin me hudh sytë dhe me ua hudhë sytë. Facebook-u është më shumë një Soulbook-Libër i Shpirtit. Megjithatë, ne kemi dëshirë ta shmangim këtë emër – Soulbook – sepse e kemi vështirë ta pranojmë se shpirti ynë ka nevoja. Në përgjithësi, duam ta shmangim idenë se jemi qënie shpirtërore, se ka diçka përtej mishit tonë materialist, e kësisoj, duam të shmangim një pjesë të rëndësishme të qënies sonë. Facebook-u na mashtron! Më saktë, na tradhëton! Facebook e di që kemi nevojë për njëri tjetrin, për miqësi, për lidhje – edhe të hamë e të pimë, ndërsa rrimë para ekranit të akullt të televizorit nuk mjafton për një qënie shpirtërore si e jona. Nuk duam të rrimë vetëm!

“Jetë Studentore” – ne që jemi të përfshirë me këtë lëvizje – jemi të bindur se të gjithë (edhe studentët!) e pranojmë apo jo, kemi pyetje dhe nevoja shpirtërore. Kjo është bindja jonë. Një libër i hershëm e modern na e ka thënë këtë nevojë prej mijëra vjetësh. Fenomeni Facebook na e rithekson. Plotësimi i nevojave shpirtërore gjendet duke dalë në rrugicat e Korçës, shëtitoren e Shkodrës, te Blloku në Tiranë, te Santea në Prishtinë, te Çarshia në Shkup e madje edhe në Facebook. Pavarësisht nga vendi ku po e lyp këtë nevojë, Jezui është çelësi që e hap atë portë shpirti – Soulbook – edhe premton dritë e ngopje. Ai premton shuarjen e etjes tënde për miqësi dhe për kuptim. Ndërsa ne si grupim studentor gjithëkombëtar, premtojmë të bëhemi një urë lidhëse mes teje dhe Perëndisë, si i vetmi burim i plotë i jetës shpirtërore.

Ashtu si Facebook-u, ne duam të të paraqesim një Mik, duam të të lidhim me shumë miq të tjerë ndërsa ndërtojmë një ambient që nuk duhet humbur.

Nikolin Dodaj

 

Etiketa: , , , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komento ketu