Dy dasma madhështore në 29 Prill!

2 miliard njerëz mbërthyen sytë përpara TV sot për të parë një dasëm madhështore, të një princi dhe të një vajze të thjeshtë që u bë princeshë. Shifra është e jashtëzakonshme: pak a shumë, 1 në 3 persona në botë kanë parë detajet e ceremonisë. Nuk di një ngjarje tjetër që ka pasur këtë lloj vëmendjen mbarëbotërore deri tani.

Çfarë e bën një dasëm, në fund të fundit një lidhje në martesë e një djali dhe një vajze, një ngjarje që tërheq vëmendjen e gjithë botës?

Ja një listë e sygjeruar:

• Madhështia e ceremonisë. Ceremonia ishte e jashtëzakonshme. Nuk ndodhin shpesh dasma të këtij lloji, të kësaj natyre, me kaq shumë njerëz të përfshirë, me ngjyra e koordinim të jashtëzakonshëm. Është një ngjarje që ndodh në një shekull. Ndaj disa nuk hezituan ta quajnë këtë dasëm “dasma e shekullit”.

• Martohen një princ dhe një princeshë. Ju kujtohet ndonjë përrallë që keni dëgjuar, që përfundon suksesshëm me martesën e një princeshe dhe një princi? Nëse jemi rritur me këtë “përrallë”, ia vlen të kalosh pak kohë për të parë materializimin e kësaj përralle. Sot ishte dita për një gjë të tillë – për një martesë të një princi dhe të një princeshe.

• Historia e çiftit ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës. Në fakt, “përralla” është bërë e dukshme për sytë tanë sepse vajza, Kate, vjen jo nga fis mbretëror por nga një familje e thjeshtë. Kush nuk do të donte të ishte në vendin e saj?

• Disa e kanë vëzhguar këtë dasëm sepse donin të siguroheshin “që edhe një princ po del nga qarkullimi”. Tani pas dasmës janë rehatuar sepse Princi William tha “PO” dhe u martua. ☺

• Mahnitja e një përkushtimi në martesë. Megjithë sulmet e një pas njëshme kundër martesës në botën e sotme, mendoj që të gjithë mahniten kur shikojnë përkushtimin e thjeshtë të dy njerëzve që martohen. E çfarë do të thotë “të martohen”? Do të thotë që dy njerëz përkushtohen të duan njëri-tjetrin, “në të mirë e në të keq, në shëndet e në sëmundje, derisa vdekja ti ndajë”…

Ku keni parë një përkushtim dashurie të këtij lloji?

Këtu i vjen rradha një dasme tjetër që ka ndodhur po sot. Një miku im, që e kam njohur në kontekstin e lëvizjes Jetë Studentore u martua po sot. Dasma ndodhi në një ambient të këndshëm, diku rrugës kombëtare për në Dajt, me një grup të vogël miqsh e familjarësh. Kamerat e vetme ishin ato të porositura nga i zoti i dasmës. Miqtë dëgjuan u gëzuan për dashurinë e sinqertë të Marselit dhe Eljonës, u kënaqën me këngët përkushtuar Zotit – të kënduara po nga të afërm e familjarë – e pastaj u kënaqën duke pozuar bashkë me çiftin e duke kërcyer bashkë me ta.

Madhështia e kësaj dasme është po aq e dukshme sa ajo e princit William. Të rinjtë “jo princër” ju përkushtuan njëri-tjetrit duke thënë që do të jetojnë së bashku “në të mirë e në të keq, në shëndet e në sëmundje, derisa vdekja ti ndajë”.

A nuk ia vlen të përkushtohesh për një dashuri të këtij lloji? Mos e shit veten lehtë – kërko princin tënd, që mund të mos jetë në gjendje të të organizojë një ceremoni madhështore si ajo e princit William por që është gati të heqë dorë nga vetja për shkak të dashurisë që Zoti i jep për ty…

Kjo është madhështia e dasmës dhe e përkushtimit të thjeshtë në një martesë.

Në dasmën tuaj!

Etiketa: , , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komente (1)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. JONIDA says:

    ME PELQEN SHUME KJO,IA VLEN TE PRESESH PER DIKE QE ESHTE GATI TE TE PERKUSHTOHET DHE TE TE DHUROJE DICKA NGA VETJA E TIJ

Komento ketu