Duart e nenes

Duart e nënës

Një ditë nëna më erdhi për vizitë në shtëpi dhe më kërkoi që të shkonim bashkë në treg, sepse i duhej një fustan i ri. Në përgjithësi nuk më pëlqen të shkoj në treg dhe nuk jam shumë e durueshme, por megjithatë vendosëm të shkojmë.

Hymë pothuajse në çdo dyqan që kishte veshje grash dhe nëna provoi fustan pas fustani, duke mos pëlqyer asnjë. Koha shkonte dhe unë u lodha. Edhe ajo vetë po inatosej. Më në fund, në ndalesën tonë të fundit, nëna provoi një kostum blu: fund, këmishë dhe një xhaketë të vogël. Këmisha kishte një fjongo në jakë. Unë isha bashkë me të në dhomën e veshjes dhe po shikoja se me sa vështirësi po përpiqej të lidhte fjongon. Duart e saj ishin kaq të paralizuara nga artriti, saqë ajo nuk mund të bënte dot punë me to. Menjëherë padurimi im u kthye në një ndjenjë dhembshurie për të. Ktheva kokën mënjanë, duke u përpjekur të fshihja lotët. Pastaj e mblodha veten, u ktheva dhe ia lidha fjongon.

Kostumi ishte me të vërtetë i bukur dhe ajo e bleu. U kthyem nga tregu, por kjo ngjarje mbeti thellë në kujtesën time. Gjithë pjesën tjetër të ditës mendja më shkonte tek ai çast në dhomën e veshjes, kur nëna ime përpiqej të lidhte fjongon. Ato duar të dashura që më kishin ushqyer, larë, veshur, përkëdhelur dhe qetësuar tani po e preknin edhe zemrën time ashtu siç nuk e kishin prekur ndonjëherë.

Vonë në mbrëmje shkova tek ajo, i mora duart e saj në të miat, i putha dhe për çudinë e saj i thashë që ato ishin duart më të bukura në botë.

Atë ditë kuptova se sa dhuratë e çmuar nga Zoti është një nënë dhe lutem që duart e mia dhe zemra ime të kenë një ditë një bukuri të tillë.

Marrëdhënia me prindërit është një nga gjërat më të rëndësishme në jetë për njeriun. Por shpesh na duket sikur ata nuk na kuptojnë dhe bëhen pengesë për dëshirat tona. Për këtë arsye nganjëherë nuk ndërtojmë marrëdhënie të hapura me ta. Por ata na duan shumë dhe kjo tregohet nga sakrificat e mëdha që bëjnë për ne. Prindërit tanë nuk janë njerëz të pagabueshëm, por gabimet e bazuara në zellin e dashurisë nuk janë të pafalshme. Të them të drejtën, një dashuri e tillë meriton vlerësimin më të lartë, qoftë edhe kur mendojmë se na prish punë.

 

“Ndero babanë tënd dhe nënën tënde!”

Etiketa:

Kategoria: Dashuria

Komento ketu