Entela

“Entela Preci: Rradha ime të ndikoj të tjerët”

Entela Precit, iu desh të tejkalonte traditën ku është lindur, në mënyrë që të kuptonte problemin me mëkatin dhe nevojën për të pranuar sakrificën e Krishtit si të domosdoshme. Pas këtij hapi, ajo vazhdon të shqyrtojë besimin e saj, ndërsa vazhdon studimet në Universitetin e Tiranës, dega Financë.

Në një bisedë të shkurtër, hedhim një vështrim mbi jetën e Entelës dhe pikëpamjen e saj për besimin, nevojën për të përballuar sfidat, dhe për të treguar të vërtetën për Krishtin njerëzve që takon.

 

Entela dhe besimi.

Duke kujtuar kohën e gjimnazit Entela thote. “Në vitin e tretë të shkollës së mesme, vëllai më tregoi për Jezusin. Ai u bë një ndjekës i Jezusit në universitet, nga ndikimi i Jetë Studentore në Tiranë”.

Megjithatë, Entelës iu desh të vinte në Universitet për të kuptuar nevojën për t’iu besuar Jezusit jetën e saj. “Jo cdo njeri e kupton atë që ka bërë Jezusi për të. Cdo njeri ka kohën e vet”. Ardhja në Tiranë i dha mundësinë Entelës që të shkojë në takimet e kishës dhe të Jetë Studentore, për të cilat kishte dëgjuar nga vëllai. Në njërin prej këtyre takimeve, iu dha një broshurë përmbledhëse e mesazhit të Biblës. Entela e lexoi materialin. Po atë natë, ajo iu lut Zotit si shprehje e besimit të saj.

Ky vendim, i shtoi pyetjet. Si rrjedhojë, ajo u përfshi me një grup vajzash që mblidheshin rregullisht për t’i diskutuar pyetjet në lidhje me Biblën, shoqërinë dhe jetën studentore.

Entela dhe sfidat

“Megjithëse ia kam dorëzuar jetën Zotit, herë pas here dalin sfida që janë të vështira për t’u përballuar”, fillon Entela të tregojë për sfidat e saj në lidhje me besimin. “Një natë, motrës sime, që punon si mjeke iu desh t’i jepte këshilla mjekësore mamit në telefon, pasi mami na u sëmur nga zemra papritur. Unë dhe vëllai ishim bashkë me motrën duke pritur në ankth. Ilacet s’po jepnin rezultat aq sa motra mjeke u dorëzua. Nuk dinim c’të bënim tjetër, përvecse t’i luteshim Zotit për ndihmë”.

Kështu e kujton Entela atë natë sfiduese, ndërsa u lutën të tre bashkë për mamin. Të nesërmen morën lajmin që mami ishte qetësuar rreth së njëjtës orë kur ndodhte lutja.

Gjatë provimeve, Entela e pranon përjetimin e stresit, si shumë studentë të tjerë. Por, në të njëjtën kohë, ajo ka mësuar të lutet. “Për qetësi, përqendrim ndërsa lexoj, dhe vullnet për të mësuar”, thekson.

 

Entela dhe integriteti

“Përpara se të besoja Jezusit, pamja e madhe për jetën time, përfshinte veten si qendër, pastaj karrierën, dhe familjen. Tani, e shikoj Krishtin që drejton mendimet e mia, pastaj vij unë dhe me rradhe karriera dhe familja.” Për shkak të këtij ndryshimi përparësish, Entela thotë që jeton me bindje në të vërtetën, dhe nuk ka frikë ta tregojë atë.

Entela dhe miqësia

Ndërsa është përfshirë me lëvizjen “Jetë Studentore”, Entela ka zhvilluar miqësi të mira me studentë të tjerë të përfshirë. “Jo me cdo të krishterë, mund të lidhesh njësoj,” – thotë Entela. “E rëndësishme është te kemi mendime sa më të përafërta jo vetëm në lidhje me besimin, por edhe në përkushtimin tonë, besnikërinë, dhe karakterin.”

 

Entela dhe shkolla

Entela është e përkushtuar për arsimimin e saj, dhe e ka të qartë rëndësinë e të ardhmes. Ajo do që të jetë e përgatitur për të qënë e zonja në profesionin e saj, në mënyrë që të punojë për të mirën e Shqipërisë. Por gjithashtu, e shpreh dëshirën e saj që përmes punës, të mund të ndikojë të tjerët të kuptojnë rëndësinë e ungjillit. “Jetë Studentore” e ka bërë punën me mua. Më ka ndihmuar të kuptoj të vërtetën. Tani është rradha ime të sjell të rinj në lëvizjen tonë”.

Intervistoi: Jete Studentore

Etiketa:

Kategoria: MyStory

Komento ketu