A është Anders Breivik besimtar i krishterë?

Mbështetur në artikullin e shkruar nga Timothy Dalrymple
Përmbledhje: Breivik nuk është besimtar i krishterë. Ai është përfaqësues i një grupi njerëzish që konsiderohen “të krishterë kulturorë” që përfaqësojnë axhenda të tjera sociale, politike, ose kulturore. Por në asnjë rast nuk përfaqësojnë mësimet dhe urdhërimet e Jezuit. Bëje dallimin sepse të ndihmon ty të jetosh një jetë me nder, dhe gjithashtu të jep një mundësi që vërtet të shqyrtosh mësimet e Jezu Krishtit; të pakrahasueshme me mësimet e ndonjë tjetri.

Ngjarja tragjike në Norvegji që rezultoi me vrasjen e dhjetëra të rinjve nga Anders Breivik bëri bujë në Shqipëri. Përveç tragjedisë që alarmoi gjithë botën Breivik u bë i njohur për publikun shqiptar edhe për deklaratat e tij rreth Shqipërisë dhe krishtërimit. Për fat të keq mediat shqiptare pasqyrojnë informacione që janë të pafiltruara mirë e kësisoj mund të krijojnë shtrembërime të realitetit. Ne do të përpiqemi të hedhim dritë mbi besimin e krishterë të supozuar të autorit të masakrës së Oslos dhe ishullit Utoya. A është besimtar i krishterë Anders Breivik? Nëse po, si ka mundësi që një i krishterë kryen masakra të kësaj natyre?

E para, përpara se të shkojmë më tej, duhet të theksojmë që reagimi i parë i natyrshëm i të krishterëve përballë kësaj tragjedie është dënimi i fortë i veprimeve të tmerrshme të këtij personi. Asnjë i krishterë i informuar saktë për besimin e tij nuk do të përkrahte një tragjedi të këtyre përmasave – në fakt nuk do të përkrahte asnjë lloj veprimi që ju merr jetën njerëzve të pafajshëm. Megjithëse në rastin në fjalë duket se Breivik po mbron “krishtërimin nga ndikimi islam”, pavarësisht se disave kjo mund t’ju duket si një arsyetim bindës për të krishterët, e vërteta është se të krishterët nuk kanë nevojë të mbrohen prej askujt, aq më tepër të mbrohen duke marrë jetë njerëzish. Në sipërfaqe duket se një i krishterë po na mbron, por po të hedhim një vështrim më të kujdesshëm do të vëmë re gjëra që s’shkojnë. Të krishterët nuk nxisin vrasjen; e të rinjve, e të pafajshmëve, e njerëzve. Kjo nuk është drejtësi për ne. Prandaj, nëse je besimtar i krishterë dhe dikush të pyet për rastin e Norvegjisë, ji i kujdesshëm që të mos përkrahësh veprimet e dikujt që megjithëse thotë se vepron në emër të krishtërimit, në fakt vepron krejtësisht në emër të padijenisë rreth krishtërimit, dhe në fund të fundit është thjesht një kriminel ordiner. Nëse nuk është i krishterë, atëherë për çfarë lloj krishtërimi e ka fjalën Breivik?

Këtu është vendi të qartësojmë që Breivik, sipas përshkrimit që i ka bërë ai vetë krishtërimit, nuk është besimtar i krishterë sipas përkufizimit të gjerë të këtij termi. Breivik është pagëzuar në kishën shtetërore norvegjeze kur ishte 15 vjeç. Breivik është kritikues ndaj kishës katolike dhe protestante sepse mendon që këto të fundit po bashkëpunojnë me Islamin. Në dokumentin e tij prej 1500 faqesh, në seksionin 3.139 të titulluar “Dallimi mes një sistemi të krishterë kulturor dhe sistemi të krishterë fetar” Breivik përshkruan se çfarë lloj i krishteri është. Ai i ndan të krishterët në liberalë dhe konservatorë – e sipas ndarjes së tij, konservatorët janë ata që janë gati të luftojnë ndikimin e Islamit në Europë ndërsa liberalët janë ata që janë infektuar nga Islami dhe janë prekur nga marksizmi. Ndërsa për besimtarët e krishterë ai shkruan: “Nëse ke një marrëdhënie personale me Jezu Krishtin dhe Perëndinë, atëherë je një i krishterë fetar. Unë dhe shumë të tjerë nuk kemi një marrëdhënie personale me Jezu Krishtin dhe Perëndinë. Megjithatë ne besojmë te krishtërimi si një plaftformë morale, kulturore, sociale dhe identiteti. Kjo na bën ne të krishterë”. Këtu qëndron edhe çelësi që duhet analizuar qartë. Sipas përkufizimit elementar të besimit të krishterë, i krishterë është ai që ka një raport të qartë me mësimet e Jezu Krishtit dhe thirrjen e Krishtit për të ndjekur atë me zemrën, me mendjen, dhe me veprimet. I krishterë konsiderohesh kur si pasojë e një revolucioni që ndodh në botëkuptimin tënd ti e kupton rolin e Ungjillit të Jezu Krishtit në transformimin e jetës tënde dhe fillon të jetosh nën ndikimin e mësimeve reale të Jezuit. Nuk je i krishterë thjesht sepse të pëlqen të jesh i tillë. As sepse krishtërimi është në modë. As sepse je kundër Islamit. As sepse shkojn ndonjëherë në kishë. I krishterë je kur pranon ti bindesh mësimeve të Jezuit. Pikë. Të tjerat janë manipulime.

Në vorbullën e mashtrimeve dhe pakujdesisë shumë njerëz nuk dallojnë ndryshimet mes të krishterëve kulturorë siç është Breivik dhe atyre që me të vërtetë e në sinqeritet përpiqen ti binden mësimeve të Jezu Krishtit. Breivik shkruajti në deklaratën e tij se “feja është një patericë për shumë njerëz të dobët” dhe ndoshta këtu është ndryshimi tjetër themelor mes të krishterëve të vërtetë dhe atyre të llojit Breivik. Të krishterët e vërtetë nuk e zgjedhin besimin thjesht sepse kanë nevojë për patericë. E zgjedhin krishtërimin sepse e dallojnë të vërtetën dhe pas kësaj, nuk kanë zgjedhje më të mirë sesa të ndjekin Krishtin, Zotin e të vërtetës. Kuptohet që të ndjekësh krijuesin të ndihmon në jetë – jo si patericë por si busull që të orienton. Ndërsa Breivik e ka për turp që të pranojë ndihmën e Zotit. Ndaj e përçmon atë duke thëne “se është një patericë për të dobëtit”. Kështu që sipas përkuzimit, Breivik është një europian që ka një pikëpamje të gabuar për krishtërimin por nuk është i krishterë siç përkufizohet ky besim.

Të krishterët e vërtetë nuk shkatërrojnë por zgjedhin të jetojnë në harmoni me besimet e tjera, duke ndërtuar ura komunikimi me ta – pa lënë mënjanë diskutimin serioz rreth realitetit dhe besimit fetar. Ne nuk heqim dorë nga të vërtetat që ka thënë Jezu Krishti. Por në të njëjtën kohë, duke folur hapur për deklaratat dhe jetën e Jezuit, ne respektojmë të drejtën e gjithsecilit që në paqe dhe pa presion të zgjedhë vetë bindjet e tij. Këtu përfshihet edhe e drejta për të mos rënë dakord. Kuptohet që për shkak të bindjeve tona ne nuk do të përfshihemi në aktivitete që na cënojnë besimin tonë. Dhe do të përpiqemi të ndikojmë edhe të tjerë që të bëjnë si ne. Por në asnjë rast nuk e shikojmë si mundësi ndërhyrjen në zgjedhjen e të tjerëve. Kështu, i bie që Breivik, po të kishte qënë i krishterë, nuk do të kishte ndërmarrë veprimet që mori dhe sot nuk do të ishim përpara një tragjedie të këtyre përmasave.

Në përfundim, Breivik nuk është i krishterë.

 

Etiketa: , , , ,

Kategoria: coffeeTIME

Komento ketu