7 zakonet e suksesit

Shtatë zakonet e njerëzve të suksesshëm

Në vitin 1989, Stiven Kovi, menaxher dhe studiues i njohur i metodave, shkroi librin “Shtatë zakonet e njerëzve të suksesshëm”, i cili u bë një ndër librat më me ndikim në fushën e menaxhimit në shek. XX. Në të, Kovi përshkroi parimet kyçe të njerëzve të suksesshëm në të gjitha fushat e jetës. Këto 7 zakone paraqiten në këtë skicë.
Duke i zbatuar në jetën tënde, këto zakone do të të ndihmojnë të kalosh nga një jetë e varur nga të tjerët në një jetë të pavarur (fitore personale, brenda vetes) dhe, si pika më e lartë, në një jetë të ndërvarur (fitore në shoqëri), d.m.th. në një jetë ku je ndihmë për të tjerët dhe pranon ndihmën e tyre.

1. Merr iniciativën!

Të marrësh iniciativën do të thotë të pranosh përgjegjësi për të ndryshuar jetën, familjen, qytetin dhe vendin tënd. Kjo do të thotë ta shohësh veten jo si viktimë e rrethanave në të cilat ndodhesh, por si dikush që ka fuqinë të përballojë çdo situatë, duke dhënë një kontribut pozitiv.

2. Fillo duke patur parasysh fundin!
Çdo person i suksesshëm ka një ide të qartë të asaj që do të arrijë. Qëllimi përfundimtar është ai që përcakton se si do ta përdorësh kohën dhe energjinë tënde. Çfarë do të dëshiroje të thoshin për ty në fund të jetës? Le të jetë qëllimi boshti drejtues i jetës tënde dhe organizoje atë rreth tij.
3. Vendos përparësitë në fillim!
Njerëzit e suksesshëm dinë se si ta drejtojnë vetveten. Ata vetëtrajnohen për të mbajtur fort gjërat më të rëndësishme që do të ndihmonin në arritjen e qëllimit përfundimtar (parimi #2), dhe nuk e lejojnë veten të shpërqendrohen nga rrethanat dytësore.
4. Arsyetimi “Fito/Fito”.
“Fito/Fito është një arsyetim logjik që kërkon përfitim të përbashkët”, – thotë Kovi. Nganjëherë, duke menduar “pse të fitojë ai tjetri”, ne nuk e bëjmë diçka, megjithëse edhe ne mund të kishim fitimin tonë. Gjithashtu, nga ana tjetër, qëllimi nuk është as të fitosh në kurriz të tjetrit. Gjej mënyra ku të dyja palët të arrijnë atë që duan dhe të ndihen mirë për këtë.
5. Kupto të tjerët, pastaj kërko që të tjerët të të kuptojnë!
Të dëgjuarit e vëmendshëm (për të kuptuar se ç’duan të thonë të tjerët) ndërton besimin dhe respektin, të cilat bëjnë të mundur bashkëpunimin. Mundohuni ta kuptoni tjetrin përpara se të këmbëngulni për të qenë ju i kuptuar nga të tjerët.
6. Bashkëvepro! (Parimi i sinergjisë)
Sinergji do të thotë që forca e bashkëpunimit është më e madhe se shuma e forcave të veçanta. Bashkëpunim do të thotë të kesh më shumë burime dhe efektivitet në përmbushjen e një detyre të dhënë. Kërko bashkëpunim krijues. Vlerëso ndryshimet. Forco miqësitë.
7. Përdore dhe çmoje kohën tënde!
Keni një kohë të caktuar për t’u përgatitur, për të pushuar dhe për të hartuar strategjitë. Përdorimi i kohës në këtë mënyrë do të të bëjë më të mprehtë dhe pastaj do të jesh më efektiv në kohën që i ke kushtuar një detyre të caktuar. Njerëzit e suksesshëm investojnë me qëllim që të shohin rezultate afatgjata.

Etiketa: , ,

Kategoria: STUDIM EFEKTIV

Komente (1)

Trackback URL | Comments RSS Feed

  1. JONIDA says:

    KESHILLA SHUM TE VLEFSHME MUA ME KAN NDIHMUAR SHUME

Komento ketu