“shpëtimi” i Shpëtimit

Në fakt titulli i mësipërm nuk është aspak një lojë fjalësh. Eshtë titulli i një ngjarjeje të vërtetë që zë fill datën 29 Maj 2011. Së bashku me familjen kishim dalë për një shëtitje, unë, gruaja dhe dy fëmijët tanë të vegjël. Megjthëse ishte e diel dhe ishim  të lodhur, këmbëngulja e fëmijëve e bëri të pamundur qëndrimin në shtëpi për atë mbasdite. Askush prej nesh nuk e dinte që në fakt ky udhëtim i paplanifikuar, kjo shëtitje çlodhëse do të ishte “Misioni shpëtues” për jetën e një fëmije. Një fëmijë pothuajse 3 vjeç që çuditërisht emrin e kishte Shpëtim. Shpëtimi jo vetëm nga pakujdesia e tij si fëmijë, përfundoi në fund të një pusete plot gurë dhe hekura në një rrugë ende të papërfunduar e cila ka në rikonstruktim pothuajse dy vjet.  Rrëzimi që mund të kishte qënë fatal, fatmirësisht i kushtoi Shpëtimit përveç tronditjes, vetëm disa gërvishtje të lehta në këmbë. “Takimi” ynë me Shpëtimin ndodhi pikërisht në momentin fatal për të ndërkohë që ne sapo  ishim nisur për t’u kthyer në shtëpi. Zona informale me pak shtepi, njerëz që kalojnë rallë andej, do të kishin bërë që rrëzimi i Shpëtimit të mos ishte ndier fare po të mos kishim kaluar ne rastësisht.

Kjo ngjarje përveç trazimit tim emocional, ndjesisë së të qënit  “Hero” për pak kohë ishte një kujtesë e rëndësisë që ka vlera e jetës njerëzore dhe e shpëtimit të saj.Në fakt këto dy elemente përbejnë thelbin në te cilin mbështetet Misioni shpëtues i Perëndisë: I iniciuar 2000 vjet më parë nga vetë Perëndia Shpëtimtar Jezus Krishti, ky mision kishte për qëllim  të shpëtojë njerëzimin. Ne fakt Jezusi vjen të shpëtojë gjithë njerëzimin dhe është i gatshëm dhe i aftë ta bëjë këtë por vetëm njerëzit që ashtu si Shpëtimi i vogël i klithin Atij për ndihmë do të shpëtohen.

Në fakt Bibla thotë që të gjithë ata që do t’i thërrasin emrit të Zotit për ndihmë do të shpëtohen jo thjesht nga një rrethanë apo rrezik i momentit. Ata do të shpëtohen nga dënimi që meritojnë mëkatet e gjithësecilit, për të cilat çmimi është vdekja jo vetëm fizike por edhe ajo shpirtërore. A do t’i thërrasësh sot Perëndisë për ndihmë? A do t’i thërrasësh Perëndisë të të shpëtojë nga dënimi që meriton çdo gabim, faj, mëkat në jetën tënde? Nëse po mos prit për momentin e papritur, ai mund të ishte fatal, sot është dita që mund t’i thërrasësh Perëndisë për ndihmë dhe Ai premton që t’i përgjigjet lutjes dhe klithmës së zemrës tënde. Klithma jonë për ndihmë nuk do të merrte përgjigje nëse nuk do të gjendej dikush që të na shpëtonte. Fatmirësisht është dikush që mund të na ndihmojë. Ai është jo vetëm i gatshëm por edhe i aftë ta bëjë këtë. Ky person e ka emrin Jezus Krisht. Ai është i vetmi që mund të të shpëtojë! Kërkoji ndihmë Atij! Kjo është një lutje që mund t’ia drejtosh Jezusit në këtë moment dhe Ai do të përgjigjet! Ai do të të shpëtojë!

Zot Jezus kam nevojë për ty.Të lutem më ndihmo.Të lutem më shpëto. Unë i pranoj mëkatet e mija. Unë kam nevojë për faljen tënde. Faleminderit që ke vdekur në kryq për mëkatet e mija dhe që je ringjallur nga vdekja. E dorëzoj jetën time në duart e tua. Të falënderoj që me ke falur tani dhe me ke shpëtuar nga dënimi që unë meritoja. Amen

Jezusi ky person kuptimi i emrit të të cilit në Hebraisht është Perëndia shpëton ka ardhur të të shpëtojë ty. Ai na fakt të ka shpëtuar nëse i je drejtuar Atij me besim dhe me gjithë zemrën tënde.

Nese ke bere lutjen e mesiperme apo ke komente ose pyetje te ndryshme te lutem na shkruaj ne adresen: media@jetestudentore.com

Shkroi per Jetë Studentore

Genci Hoxha

Etiketa: ,

Kategoria: coffeeTIME

Komento ketu